Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga – Biden, mbështetje për agjendën evropiane të Kosovës


Takimi Biden - Jahjaga në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë

Takimi Biden - Jahjaga në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur mbështetjen e plotë për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës dhe për dialogun që Kosova po e zhvillon me Serbinë, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Këto komente ai i bëri në takimin me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë, mbrëmë vonë.

Mëtutje, zoti Biden e ka vlerësuar si kontribut në normalizimin e raporteve me Serbinë, edhe takimin e ardhshëm Jahjaga – Nikolliq në Bruksel.

Zëvendëspresidenti Biden ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do t’i japin përkrahje të fuqishme Kosovës në të gjitha proceset demokratike. Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës është proces i kryer dhe se Kosova i ka të garantuara sovranitetin dhe intergitetin territorial.

Sipas njoftimit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka falënderuar zotin Biden dhe Shtetet e Bashkuara për angazhim dhe për ndihmë që i kanë dhënë dhe po i japin konsolidimit të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës.

Ajo e ka çmuar lartë edhe mbështetjen amerikane drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mëtutje, zonja Jahjaga, në takimin me zëvendëspresidentin Joe Biden, ka theksuar progresin e konsiderueshëm të Kosovës në këtë rrugë dhe aktualisht, po tregohet vullnet i mirë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
XS
SM
MD
LG