Ndërlidhjet

Sektori privat - pa suksese të dukshme


Punëtorët në Kosovë...
Punëtorët në Kosovë...
Roli i sektorit privat, posaçërisht i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, ka qenë relativisht i dobët, thonë pronarë të kompanive private dhe ekspertë të kësaj fushe.

Pavarësisht kësaj, sipas tyre, ndërmarrësia dhe krijimi i bizneseve të vogla pritet të luajë rol thelbësor në rrugën drejt një ekonomie moderne të tregut të lirë, rrjedhimisht drejt zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Një ndër këto ndërmarrje është Kompania “Vëllezërit e Bashkuar”, në komunën e Prizrenit, e cila është e licencuar për prodhimin e produkteve për ndërtim dhe në atë të shërbimeve, kurse të punësuar ka rreth 70 punëtorë.

Drejtori gjeneral i kësaj ndërmarrjeje, Sefer Susuri, tregon se fabrika ka pasur shumë vështirësi për të qëndruar në treg, edhe pse paralelisht, sipas tij, ka ruajtur cilësinë e produkteve që i prodhon.

Susuri tregon se ekonomia joligjore, normat e larta të kredive dhe mungesa e energjisë elektrike, vështirësojnë punën e kësaj kompanie.

“Ekonomia jo-formale paraqet vështirësitë më të mëdha. Për sa i përket aplikimeve të ligjeve, kjo paraqet për ne barrierë, për shkak se kompania jonë është orientuar në ngritjen e sistemit të menaxhimit. Kështu që sistemi i menaxhimit na imponon për zbatimin dhe aplikimin e infrastrukturës ligjore në aspektin ku vepron. Kurse, sistemi bankar, mungesa e energjisë elektrike janë prioritete tjera”, tregon Susuri.

Edhe njohës të kësaj fushe thonë se sektori privat nuk ka arritur ndonjë sukses të dukshëm.

Naser Grajçevci, dikur kryeshef në Agjencinë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se problemet fillojnë që nga doganat, Administrata Tatimore e Kosovës, komunat, pastaj procedurat burokratike dhe mungesa e financave.

Megjithatë, i rëndësishëm, sipas tij, mbetet fakti se autoritetet kompetente e kanë ngritur këtë çështje si problem.
...ambienti biznesor në Kosovë duhet të mbështetet nga politikat institucionale.

“Por, kjo nuk është e tëra, sepse ambienti biznesor në Kosovë duhet të mbështetet nga politikat institucionale. Duhet të krijohet një ambient i favorshëm, nëse nuk ka qasje të mirë në financa, nëse nuk ka perspektivë apo zhvillim të bizneseve në Kosovë, apo ngufatje nga inspeksionet e ndryshme, mos të përmendi edhe këto dukuritë, për ttë cilat tashmë po flitet haptas, dukuritë e abuzimeve dhe format korruptive”, shprehet Grajçevci.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se njohin rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe që nuk kanë munguar angazhimet në këtë rrafsh.

Arta Istrefi, këshilltare politike për media, në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë, thekson se ka pasur shumë aktivitete në përmirësimin e gjendjes së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Si sukses të arritur së fundi, ajo përmend projektin trevjeçar, të quajtur “Programi për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme", që ka për qëllim promovimin e zhvillimit të sektorit privat dhe mbështetjen e konkurrencës së këtyre ndërmarrjeve.

“Gjatë periudhës trevjeçare, sa do të zgjasë ky projekt, do të realizohen tri objektiva kryesore. E para është asistimi në përforcimin e përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në radhë të dytë: ofrimi i këshillave dhe trajnimeve për bizneset fillestare, si dhe atyre ekzistuese, ndërsa direktivë e tretë e këtij projekti, mbetet skema e garantimit të kredive që ka për qëllim përmirësimin e bizneseve vendore në qasjen e financave”, sqaron Istrefi.

Më shumë se 90 për qind e ndërmarrjeve në Kosovë janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndërkaq mbi 50 për qind e të gjitha këtyre ndërmarrjeve, operojnë në sektorin tregtar që karakterizohet me investime të vogla dhe joproduktive.
XS
SM
MD
LG