Ndërlidhjet

Të rinjtë e Kosovës janë tradicionalisht shumë të lidhur me familjet e tyre dhe këtu përfshihen edhe ata të moshës mbi 18 vjeç.

Ata thonë se po të kishin mundësi më të mira ekonomike familjare, por edhe si shtet më i fuqishëm në aspektin ekonomik, me siguri që do të kishin marrë vendime për të jetuar më larg prindërve.

Roli kaq i madh i familjes dhe mosndarja nga prindërit, thotë Beslidhje Shabani, lidhet ngushtë edhe me varësinë ekonomike nga ana e familjes.

“Te ne është ndryshe në krahasim me vendet perëndimore. Ne nuk kemi vende pune, është papunësi e madhe. Po të kishim qenë në punë, ndoshta ishim pavarësuar, po ne jemi ende në varësi të prindërve. Babai ende na mban dhe kujdeset për gjithçka për ne dhe shpenzimet tona të studimeve", tregon Besëlidhja.

Edhe Leutrim Ajeti, i cili është student në Universitetin e Prishtinës, mendon ngjashëm:

"Pse jo edhe në Kosovë mund të ndodhë që një i ri pas moshës 18-vjeçare të jetë i pavarur nga prindërit, por për shkak të kushteve të limituara, e kanë të pamundur të zhvillojnë atë jetë. Dihet mirë që një pjesë e madhe e të rinjve nuk i kanë kushtet dhe nuk mund të zhvillohen. Është e pranishme edhe të ne një dukuri e tillë, por jo në shkallën apo nivelin sa në shtetet tjera".

Të rinjtë, të cilët flasin për Radion Evropa e Lirë, tregojnë se derisa ata kanë qenë adoleshentë, vendimmarrës për veprimet e tyre kanë qenë prindërit, por me kalimin e kohës gradualisht vendimet pas moshës 18-vjeçare i marrin vetë.

I riu Arbër Shala thotë se pa të ardhura nga familja, nuk mund të studiosh dhe asgjë tjetër, e lëre më të jetosh larg tyre pa punë.

"Nuk e besoj kurrë që të rinjtë pa punë e me studime dhe shpenzime të tjera, mund të jetojnë larg prindërve dhe familjes. Kosova nuk ofron vende pune, nuk ka punë. Me familje bashkë dhe nuk mund t'ia dalin shumë të rinj, e lëre më pa familje", thotë Arbëri.

Kurse, Elhami Dragusha thotë se për të ndodhur diçka e tillë në Kosovë duhet të ketë një zhvillim më të madh ekonomik dhe më shumë vende pune.

“Sot, në Kosovë është shumë e vështirë të mbijetojë një i ri i moshës 18-vjeçare pa përkrahjen prindërve. Ne këtë moshë të rinjtë kanë shumë nevojë për para, sepse janë në atë momentin kur kanë synime dhe dëshirë për shkollim, por edhe për çështje të tjera. Për shembull, në perëndim të rinjtë kanë të ardhura nga shteti dhe shumë mundësi për punë", shprehet Elhami.

Studenti Bekim Ferizaj shprehet:

"Po, të rinjtë edhe mund të jenë të pavarur, por në Kosovë në masë të madhe kjo është e pamundur. Kjo pasi që të rinjtë në këtë moshë nuk kanë kurrfarë të ardhurash se nuk punojnë”.

Lirona Rakovica thotë se ka dëgjuar që disa të rinj e kanë bërë një gjë të tillë, por sërish janë kthyer te familja.

“Kosova, apo shteti nuk e ka këtë mundësi që ta bëjë për të rinjtë. Kjo mund të ndodhë më vonë, derisa të gjesh një vend pune. Njoh shumë të rinj që kanë ndërmarrë veprime të tilla, po nuk kanë kaluar mirë dhe më duket se janë kthyer sërish në familje”, thotë Lirona.

Kurse, Endrit Hashani nga Prishtina, i cili ende është në shkollë të mesme, mendon se pa e përfunduar fakultetin dhe pa gjetur një vend pune, nuk ka menduar të largohet nga prindërit.

“ Unë për vete mendoj që fillimisht ta përfundoj shkollën, të gjej një vend pune dhe të mendoj pastaj për një jetë tjetër për vete”, shprehet Endriti.

Jetesa e të rinjve të ndarë nga familja nuk haset shpesh dhe lidhet më shumë me rastet kur familjet kanë një gjendje ekonomike të kënaqshme dhe të rinjtë janë të punësuar.

Megjithatë, dëshira për të marrë një vendim nuk është që nuk haset te të rinjtë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG