Ndërlidhjet

OBI kërkon fund të konfliktit në Siri


Liderët islamikë të OBI-së, në Kajro.

Liderët islamikë të OBI-së, në Kajro.

Udhëheqësit e vendeve islamike kanë bërë thirrje për fund të negociuar të konfliktit në Siri.

Kriza atje ndodhet lart në agjendën e samitit dyditor të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), e cila ka hapur punimet të mërkurën në Kajro.

Duke iu adresuar të tubuarve, presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, i ka bërë thirrje regjimit në Damask të mësojë leksionet e historisë dhe të mos vërë interesat e tij mbi ato të kombit.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka thënë se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake, ndërkohë që princi saudit, Salman, ka shfaqur shqetësimin se regjimi “po kryen krime të shëmtuara kundër popullit të tij”.

Siria nuk është e pranishme në samit pasi, gushtin e kaluar, është përjashtuar nga Organizata për Bashkëpunim Islamik.

Protestat e para antiqeveritare atje kanë shpërthyer në mars të vitit 2011. Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 60,000 njerëz kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet forcave të regjimit sirian dhe atyre rebele.
XS
SM
MD
LG