Ndërlidhjet

Stuhi masive bore në SHBA


Stuhia e borës në SHBA
Stuhia e borës në SHBA
Një stuhi masive e borës ka përfshirë pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara, duke lënë pa energji më shumë se gjysmë milioni njerëz, derisa trashësia e borës ka shkuar në 60 centimetra.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik tha se në Boston pritet që bora të arrijë trashësinë deri në një metër.

Në Verilindje, më shumë se 600 mijë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.

Stuhia raportohet se ka lënë të vdekur të paktën katër persona në Nju Jork dhe Kanada. Policia thotë se qindra makina janë bllokuar në autostradën Long Island, e cila lidh Long Island me New Yorkun.

Nga New Jersey deri në Mejn, blerësit janë mbledhur nëpër supermarkete për të blerë ushqim, lopata për heqjen e borës, bateri dhe gjeneratorë, gjëra këto që janë bërë të çmueshme pas super-stuhisë Sandy në muajin tetor, njofton AP.

Të tjerët kanë mbushur me karburante makinat e tyre, një tjetër mësim pas stuhisë Sandy.

Përgjatë New England, shkollat janë mbyllur që pas rënies së fjollave të para të borës.

“Kjo është stuhi e përmasave të mëdha”, ka thënë prefekti i Bostonit, Thomas Menino, duke tërhequr vërejtjen.

Qëndroni larg rrugëve, Qëndroni në shtëpi”.

Kompanitë ajrore anuluan më shumë se 5 mijë e 300 fluturime ndërsa tri aeroportet e mëdha të Nju Jorkut dhe aeroporti Logan i Bostonit janë mbyllur.

Guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrick ka ndaluar gjithë trafikun në të gjitha rrugët në premten pasdite, që besohet të jetë një ndalesë e pare e tillë për shkak të borës, që nga vitit 1978.

“Kjo nuk ndodh çdo ditë. Do të jetë një stuhi e rrezikshme dimri”, ka thënë Alan Dunham, meteorolog nga Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë në Taunton të Masaçusetsit.

Stuhia e borës ka arritur në fillim të fundjavës, që nënkupton se do të ketë më pak makina në rrugë dhe kohë më të madhe për ekipet e sanimit për të spastruar rrëmujën, para se udhëtarët në rajonin nga Nju Jorku deri në Boston, rreth 25 milionë, të kthehen sërish në punë.

Kjo, nënkupton edhe një fundjavë të mbyllur brenda.

Në Bostonin katolik, klerikët iu kanë kërkuar besimtarëve që të jenë të matur në lidhje me meshën e së dielës, duke i kujtuar ata se nën ligjin e kishës, obligimi “nuk zbatohet kur ka vështirësi të mëdha për të përmbushur obligimin”.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG