Ndërlidhjet

Të rinjtë dinë të ndryshojnë ekonominë


Ilustrim
Ilustrim
Gjendja ekonomike në vend mund të ndryshohet nëse ekziston vullneti dhe dëshira e autoriteteve kompetente, vlerësojnë disa të rinj në Kosovë.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se në shumicën e sektorëve ekonomikë ka hapësirë dhe mundësi për përmirësim dhe zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Ndërsa, nëse autoritetet kosovare, thonë ata, krijojnë një ambient të sigurt të të bërit biznes, Kosova ka potenciale të mjaftueshme për investime.

Njëra nga to është Shpresa Selmani, studente në Universitetin e Prishtinës. Ajo konsideron se në përgjithësi problemet ekonomike në Kosovë janë shumë të mëdha, por që përmirësimi i klimës së të bërit biznes, mundëson tërheqjen e investimeve të huaja, që rrjedhimisht ndikojnë në uljen e papunësisë.



Shpresa thotë se duhet të eliminohet fenomeni aktual, që të jesh biznesmen duhet të jesh i afërt me partitë politike apo zyrtar institucional.

“Besoj se duhet t’i jepen shanse edhe të rinjve, shpresoj se të rinjtë më së miri do të rregullonin ambientin e të bërit biznes. Dihet që në Kosovë, është shumë problem të bërit biznes, për shkak të korrupsionit, tenderëve, konkurrencës së madhe të bizneseve. Kështu që besoj se të rinjtë do të kenë kreativitet dhe tolerancë më të madhe në të bërit biznes në Kosovë", thotë Shpresa.

Kosovar Doçi, është i student i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai vlerëson se ekzekutivi duhet të krijojë politika arsimore dhe ekonomike më të favorshme për të rinjtë. Njëherësh, sipas tij, të rinjtë duhet të kenë rol edhe në proceset vendimmarrëse. Doçi, thotë se po t’i jepet mundësia, do të kishte ndryshuar mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, e konkretisht atyre publike.

“Natyrisht se privatizimi duhet të bëhet në çdo vend, mirëpo mënyra e privatizimit duhet të ndryshojë domosdo. Do të thotë, procedurat e para privatizimit duhet të shkojnë në mënyrë të rregullt. Dhe, më e mirë për Kosovën, për shtetin tonë, do të ishte që procesi i privatizimit të mos realizohet në këtë mënyrë, por të jepen me koncesion, siç është rasti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës”, shprehet Kosovari.

Të rinjtë mund të ndryshojnë situatën ekonomike, pohon edhe i riu tjetër Gëzim Bala. Sipas tij, të rinjtë kanë vullnet, motiv dhe energji për të përmirësuar gjendjen socio-ekonomike në vend.

“Po presim nga të rinjtë që të bëhet mirë, por nëse vazhdojnë të rinjtë si këta, Qeveria aktuale, të funksionojë vetëm me njerëz të njohur, të shkohet në mënyrë hierarkike, atëherë do t’i kemi punët shumë keq. Nëse u japim hapësirë njerëzve që janë të interesuar të punojnë, të rinjve, që kanë vullnet, kanë motiv e energji, atëherë mund të ecim përpara”, thekson Gëzimi.

Nita është një e re tjetër nga Prishtina. Ajo mendon se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Sipas saj, shfrytëzimi i potencialeve ekzistuese për investitorët e huaj, do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe njëherësh në përmirësimin e mirëqenies sociale në vend.

“Duke marrë parasysh që në vendin tonë ka kapacitete për zhvillimin e ekonomisë, kjo do të bëhet ndoshta me përmirësimin e infrastrukturës, për të joshur investitorët e huaj, në këtë mënyrë do të zbutet edhe numri i papunësisë”, shprehet Nita.

Arbër Lokaj, student në Fakultetin Juridik, thekson se në rend të parë duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar:

“Gjendja ekonomike është shumë e rëndë, papunësia vërehet më shumë te të rinjtë. Shumica e të rinjve janë të papunë. Kështu që ka hapësirë të mjaftueshme për punë, për krejt të rinjtë, por për këtë duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar. Mendoj se duhet të bëhet çmos që të çrrënjosët korrupsioni në Kosovë”.

Por, Edmonda Hasani, studente në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë, është optimiste se në të ardhmen Kosova do të ketë përmirësim të gjendjes ekonomik dhe standardit jetësor, pasi, sipas saj, vendi do të udhëhiqet nga gjeneratat e reja.

"Ekonomia nuk është në nivelin e duhur, pasi në shumë aspekte mungojnë edhe gjërat esenciale që i nevojiten njeriut. Besoj se në të ardhmen do të jetë më mirë. Nëse kjo rini rritet dhe zhvillohet siç është tash”, thotë Edmonda.
XS
SM
MD
LG