Ndërlidhjet

Padi e hetime për skandalin me mish kali


Paditë, hetimet dhe betejat e hidhura mbi fajësinë po zgjerohen në Evropë pas skandalit që ka goditur industrinë e mishit.

Mishi i kalit është zbuluar në produktet që është supozuar të jenë 100 për qind mish viçi, të shitura në Suedi, Britani të Madhe dhe Francë, njoftojnë mediat botërore.

Derisa autoritetet thonë se nuk ka shqetësime të menjëhershme për shëndetin, zbulimi ka qenë një shok për industrinë, që tashmë po merrte veten nga një skandal tjetër i muajit të kaluar, kur hetuesit irlandezë gjetën ADN të kalit dhe të derrit në produktet e hamburgerit.

Zinxhiri i fajësisë

CNN raporton se prodhuesi suedez i ushqimit Findus ka qenë në fokus të kaosit që kur njoftoi të enjten se do të tërheqë lazanjën nga dyqanet si një masë parandaluese.

“Produktet u hoqën të hënën pasi që furnizuesi francez Comigel ngriti shqetësimet për llojin e mishit që po përdorej”, ka thënë Findusi suedez.

Findus njoftoi se një letër e Comigel-it e 2 shkurtit e informonte atë se kontaminimi mund të datojë që nga gushti i vitit 2012.

Findus është vetëm një nga disa kompanitë që ka marrë produkte nga Comigeli.

Të tjerët janë Axfood, Coop dhe ICA, që gjithashtu kanë tërhequr produktet e mishit në Suedi dhe Aldi, që ka tërhequr disa produkte nga raftet në Britani.

BBC raporton se shtatë rrjete të supermarketeve franceze Auchan, Casino, Carrefour, Cora, Monoprix, Grand Jury dhe Picard kanë tërhequr ushqimet e ngrira, kryesisht lazanjën nga furnizuesi Findus ose nënktraktori Comigel.

Comigel, një kompani me seli në qytetin lindor të Metzit, prodhon ushqimin e gatshëm edhe për Findus-in edhe për brende tjera.

Comigel tha se ka blerë mishin duke i besuar furnizuesit francez Spanghero.

Spanghero hoqi fajin nga vetja duke thënë se furnizuesi rumun e ka siguruar se mishi ishte i viçit.

Hetimet ndërkufitare

Në Rumani, për të cilin vend, Franca dhe Britania kanë hedhur dyshimet se është burim i këtij ‘mishi të maskuar’ kanë nisur hetimet.

Presidenti i Rumanisë, Traian Basescu, ka thënë se besueshmëria e vendit të tij mund të dëmtohet për “vite të tëra”, nëse furnizuesi rumun i mishit gjendet fajtor për skandalin e shitjes së mishit të kalit si mish viçi.

Por, kryeministri, Victor Ponta ka thënë se Franca duhet fajësuar për skandalin, sepse sipas tij, në Francë prodhimeve rumune u janë ndërruar të dhënat mbi origjinën e mishit.

Skandali ka ngre dilemat mbi kompleksitetin e zinxhirit të furnizimit të industrisë ushqimore në Bashkimin Evropian.

Ndikimi është shtrirë te distributorët në Britani të Madhe, në Francë, në Suedi, Irlandë dhe Rumani dhe ekziston frika se produktet ushqimore në 11 shtete tjera të BE-së do të preken.

Ministrat francezë pritet të zhvillojnë bisedime më aktorët kryesorë në industrinë e mishit.

Ministri i Ushqimit, Guillame Garrot tha se dëshiron që të sigurojë se të gjitha produktet e kontaminuara do hiqen nga tregu.

Në Britani të Madhe, ministri i Mjedisit Owen Paterson pritet që të informojë anëtarët e parlamentit mbi zhvillimet e fundit të skandalit.

Ndërkohë, hetimet sipas CNN po zhvillohen në Francë, Suedi dhe Britani.

Derisa Findusi po nis aksione ligjore në Suedi, Findusi i Francës ka thënë më herët se do të nisë ankesa kundër bizneseve rumune që janë pjesë e zinxhirit të furnizimit.

“Këtu janë dy viktima: Findusi dhe kosnumatori”, ka thënë në një deklaratë Findusi i Francës.

Rezultatet e hershme të një hetimi të brendshëm tregojnë se kontaminimi me mish kali në produktet e lazanjës me mish viçi nuk kanë qenë aksidentale, ka thënë Fidus.

Në bazë të testeve është vërejtur se në atë që quhej mish viçi kishte përmbajtje nga 30 deri në 100 për qind të mishit të kalit.

Rreziku për shëndetin

Derisa mishi i kalit nuk është i rrezikshëm për shëndetin, inspektorët e ushqimit kanë shprehur shqetësimin se ai mund të përmbajë të ashtuquajturat tabletat veterinare phenylbutazone, që përdoren zakonisht për trajtimin e kuajve.

Mishi i kafshëve të trajtuara me phenylbutazone mund të paraqesë rrezik për shëndetin njerëzor dhe nuk lejohet që të shitet.

Findus ka urdhëruar hetimin edhe për praninë e këtij medikamenti.

Zbulimi ka revoltuar shumë konsumatorë në Mbretërinë e Bashkuar ku mishi i kalit në përgjithësi konsiderohet tabu, edhe pse ai hahet në Francën fqinje, si dhe në shtetet si Kina, Rusia, Kazakistani e Italia.

Zbulimi i ADN-së së derrit në produktet e mishit të viçit është në veçanti shqetësues për hebrenjtë dhe myslimanët, të cilëvë feja ua ndalon konsumimin e tij.(a.i.)

(Marrë nga CNN, BBC dhe agjenci tjera të huaja)
XS
SM
MD
LG