Ndërlidhjet

Obama uron Jahjagën në 5-vjetorin e shtetësisë


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Viti që kemi lënë pas ka qenë në veçanti i rëndësishëm për Kosovën. Vendi juaj ka bërë hapa historikë në realizimin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në letrën e zotit Obama.

Ai po ashtu ka theksuar se Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ekonomi, si dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithëpërfshirës dhe shumëkombësh.

“Gjithashtu, janë bërë përparime në dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjët tuaj dhe i gjithë rajoni”, ka thënë Obama.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqtë tuaj të ngushtë dhe mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar”, ka thënë pos tjerash Obama.

Kosova shënon pesëvjetorin e pavarësisë më 17 shkurt.
XS
SM
MD
LG