Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Pengesat për liberalizimin e vizave janë në Bruksel


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Mosuniteti i vendeve të Bashkimit Evropian rreth statusit të Kosovës po ndikon në vonesat që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e BE-së, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq duke iu referuar dialogut me Beogradin, Thaçi ka thënë se në fund të dyja vendet do të arrijnë deri te normalizimi i marrëdhënieve duke gjetur edhe një zgjidhje për integrimin e komunitetit serb në veri në kuadër të institucioneve të Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, dy muajt e ardhshëm nga përfaqësuesit ndërkombëtarë janë vlerësuar si vendimtarë në kuadër të procesit të bisedimeve me Serbinë. Cilat janë pritjet tuaja dhe çfarë mund të rezultojë si epilog i këtij dialogu?

HASHIM THAÇI
Ne deri tash kemi zhvilluar katër takime me kryeministrin Daçiq, me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e baroneshës Catherine Ashton. Takimet kanë qenë, mund të them lirisht produktive dhe konstruktive. Dua të besoj që takimi i ardhshëm, e në veçanti edhe pas takimit që ka ndodhur mes presidentëve, zonjës Jahjaga dhe presidentit Nikolliq, paraqet një frymë të re. Kështu që, ky takim, që do të ndodhë në të ardhmen e afërt, do të jetë një kapitull i ri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe te Serbisë.

Pres një intensifikim të këtij procesi në mënyrë që të jetë edhe më rezultativ. Presim që definitivisht të fillojë normalizimi i gjendjes në veri të Mitrovicës, që edhe atje të kemi shpërbërjen e strukturave të sigurisë dhe largimin e strukturave të Serbia nga ajo pjesë, dhe kjo përgjegjësi do t'i takojë drejtpërdrejt kryeministrit dhe qeverisë së Serbisë, pra zotit Daçiq.

Ndërsa, nga ana jonë, ne do të prezantojmë ofertën tonë afirmative për qytetarët tanë serbë ne veri, në mënyrë që ata të integrohen në jetën e re kosovare, të integrohen në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës, të integrohen në institucionet qendrore dhe lokale. Punojmë që të krijojmë kushte dhe rrethana edhe më të përshtatshme për transformimin apo integrimin e strukturave të edukimit, të shëndetësisë, të shërbimit publik në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë disa herë se Prishtina duhet ta ketë edhe një ofertë për veriun e Kosovës në mënyrë që të sigurojë integrimin e këtij komuniteti dhe komunave veriore. Për çka konkretisht bëhet fjalë dhe cila mund të jetë kjo ofertë që mund ta ofrojë qeveria?

HASHIM THAÇI
Serbët në Kosovë apo një etni në Kosovë do t'i gëzojë të drejtat e barabarta në gjithë territorin që jeton. Nuk do të ketë etni me të drejta të standardeve të dyfishta në territorin e Kosovës, e kjo nuk do të vlejë as për serbët. Ndërsa, oferta jonë është jashtëzakonisht gjeneroze. Është një ofertë që është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, me standarde evropiane, një ofertë integruese.

Qytetarët në veri kanë qenë të mashtruar për 13 vjet nga Beogradi, me pretendimin për ndarjen e Kosovës, ndërsa ajo ëndërr e Serbisë është shuar njëherë e përgjithmonë më 25 korrik 2011. Tani këtë zhgënjim të qytetarëve në veri, Qeveria e Kosovës, unë si kryeministër i vendit, që e kam për obligim t'iu shërbejë të gjithëve, duhet ta shndërroj në shpresë graduale për ta, në mënyrë që ata të integrohen në jetën e re demokratike, të organizohen zgjedhje të lira në veri në katër komunat, të ketë lidership legjitim.

Të fillojmë që përmes fondit zhvillimor të investojmë në infrastrukturë dhe të ndryshojmë jetën e qytetarëve atje për të mirë. Të kemi sistem të drejtësisë konform standardeve evropiane dhe në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të kemi edhe integrimin në të gjithë mekanizmat institucional kosovarë edhe të qytetarëve atje, që duhet të integrohen pra edhe në edukim, shëndetësi, shërbime publike, polici, FSK, në mënyrë që të ndërtojmë institucione demokratike, institucione shumë etnike dhe funksionale në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës.

Por, ne do të respektojmë edhe të gjitha të drejtat që dalin edhe nga obligimet tona, të marrëveshjeve ndërkombëtare që kemi, dhe do të respektojmë edhe të drejtën e interesimit legjitim të Serbisë për qytetarët serbë në Kosovë. Dhe ky proces i dialogut në Bruksel, unë dua të besoj që do të përmbyllet me një normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë - Serbi, duke hapur një proces të ri, atë të fqinjësisë së mirë, i munguar me herët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, marrë parasysh kundërshtimin e vazhdueshëm që kanë hasur institucionet e Kosovës për shtrirjen e autoritetit në veri. A prisni që për veriun të gjendet edhe një zgjidhje kalimtare ku faktori ndërkombëtar të merrte një rol prijës deri në vendosjen e normalitetit atje?

HASHIM THAÇI
Gjendja në veri është e ndryshme nga pjesët tjera të Kosovës. Është një gjendje e padurueshme që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë. Kjo zgjidhje duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe kështu edhe do të ndodhë, me ligjet e Kosovës, ndërsa nuk do të ketë trajtim në kuptimin që pretendon dikush, apo Beogradi.

Kosova është një dhe unike. Ne do të respektojmë gjithmonë procesin integrues, e në asnjë rrethanë ndonjë proces izolues apo që hap kapitull të status quo-së, por që hap një kapitull të funksionalizimit normal të shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të integroni strukturat paralele serbe në kuadër të institucioneve përmes zgjedhjeve të ardhshme?

HASHIM THAÇI
Ne do të adaptojmë struktura të edukimit, të shëndetësisë, të shërbyesve publikë, por në të njëjtën kohë ne nuk pretendojmë të imponojmë lidershipin në veri. Qytetarët atje duhet të kenë të drejtën që t'i zgjedhin vetë liderët përmes vullnetit të tyre. Do të ftojmë edhe OSBE-në që të organizojë dhe të menaxhojë këtë proces që të jetë sa më i besueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër për pak ditë Kosova do të shënoj pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Nga pikëpamja e juaj, si e shihni sot Kosovën, pesë vjet pas aktit të shpalljes së deklaratës së pavarësisë?

HASHIM THAÇI
Pesë vite pas pavarësisë Kosova është ndryshe. Është një subjektivitet i respektuar dhe i nderuar ndërkombëtarisht. Kemi fituar rreth 100 njohje ndërkombëtare. Jemi anëtarësuar në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën për Zhvillim e Rindërtim dhe jemi në proces të anëtarësimit në shumë mekanizma rajonal e ndërkombëtar. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Për çdo vit, Kosova ka pasur rritje për rreth katër për qind. Është rritur mirëqenia sociale e qytetarëve.

Në këto pesë vite kemi hapur kapitullin e Kosovës së re, Kosovës demokratike, Kosovës evropiane. Jemi në rrugë të mirë për procesin e integrimeve euroatlantike. Mendoj që këto pesë vite kanë qenë vite të suksesit, të vlerësuar nga ana e qytetarëve, por edhe vite të progresit të vlerësuar nga bashkësia ndërkombëtare. Si shembulli më i mirë i kësaj është përmbyllja e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar vlerësoi se Kosova ka shënuar përparime për t’i besuar në hapat e mëtutjeshëm të perspektivës evropiane.

Natyrisht që duhet të bëjmë edhe më tepër sepse kemi trashëguar një situatë jo të mirë ekonomike. Pavarësia e Kosovës ka dhënë mesazhin më të mirë se ky vend është vend i paqes, stabilitetit, i bashkëjetesës dhe të njëjtën kohë edhe i reflektimit të bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane për gjithë rajonin. Por, jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër, jo vetëm në rrafshin politik e diplomatik, por edhe në atë ekonomik, të rendit dhe ligjit, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeneve tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Të martën ju keni zhvilluar një takim me një delegacion të Komisionit Evropian në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Nuk janë dhënë shumë shpresa që në një të ardhme të afërt kosovarët do të lëvizin lirshëm, pa viza. Ku qëndrojnë ngecjet kryesore në këtë proces?

HASHIM THAÇI
Ngecjet për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk janë teknike, janë kryekëput politike dhe se këto pengesa janë në Bruksel dhe ndërlidhen drejtpërdrejtë me mos-unitetin e vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket statusit politik të Kosovës. Kjo vonesë e Brukselit është e padrejtë në raport me Kosovën.

Ne jemi trajtuar si qytetarë të rëndit të dytë dhe në ish-Jugosllavi dhe tash nuk dua të besoj dhe të bëj krahasime të tilla se diçka e tillë mund të ndodhë edhe nga Bashkimi Evropian. Ne jemi rreth 2 milion qytetarë, jemi njerëz që e njohim dhe e kuptojmë Evropën. Jemi evropianët më të rinj dhe padrejtësisht po vonohemi për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

I kemi zbatuar në afatin rekord standardet dhe kriteret e nevojshme dhe do të punojmë edhe në rekomandimet e reja që kemi, por nuk ka qenë e arsyeshme dhe nuk është e justifikueshme që për Kosovën të ketë standarde të dyfishta në raport me vendet tjera që e kanë kaluar këtë proces apo që për vende të caktuara të ketë standarde të dyfishta.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG