Ndërlidhjet

Opozita: Raporti i KE-së, pasqyron realitetin


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka vërtetuar se Qeveria e Kosovës është treguar e paaftë për t’i përmbushur, siç thuhet, “detyrat e shtëpisë” dhe kjo, jo vetëm se e ngadalëson procesin e liberalizimit të vizave, por edhe i dëmton interesat e qytetarëve në përgjithësi, vlerësojnë partitë opozitare në vend.

Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se raporti i Komisionit Evropian i ka hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, sipas saj, gjatë fushatës parazgjedhore në dhjetor të vitit 2010, pati thënë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm nëpër Evropë brenda 15 muajsh.

Osmani e quan mashtrim ndaj qytetarëve edhe pohimin e kryeministrit Thaçi se ky afat do të shtyhet më së largu deri në fundin e vitit 2012 dhe se do t’i përmbushin të gjitha kushtet teknike që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.

“Tani, publikimi i këtij raporti dëshmon, jo vetëm që nuk është shënuar asnjë hap përpara, por në të kundërtën. Pra, ka regres, ka kthim prapa në shumicën e fushave e në veçanti në ato që janë esenciale për t’u konsideruar të suksesshme në procesin e liberalizimit të vizave, siç janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat ekonomike dhe të tjera”.

“Ky raport ka dëshmuar edhe një herë mashtrimin që po bëhet me opinionin publik dhe është një ‘dhuratë’, të cilën, fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës po ua jep qytetarëve të vet në pesëvjetorin e pavarësisë”, thotë Osmani.

Deputetja Osmani theksoi se Qeveria e Kosovës ka shënuar ngecje në procesin e riatdhesimit, i cili është ndër kushtet kryesore për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe ka lejuar afera korruptive.

Ardian Gjini, deputet i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se me raportin e fundit të Komisionit Evropian, po krijohet një pasqyrë jo shumë e mirë për Kosovën.

Megjithatë, sipas tij, në këtë raport nuk ka asgjë, e cila nuk ka qenë e ditur edhe më parë për skenën politike në Kosovë, por edhe për qytetarët.

Ardian Gjini
Ardian Gjini
“E kemi ditur çka do të ketë në raport, për shkak se pasqyron gjendjen reale në Kosovë. Madje, mund të thuhet se përdoret gjuhë diplomatike, për t’i zbutur ato fjalë, të cilat do të mund të përdoreshin. Nuk duhet të çuditet Kosova. Nuk mund të marrim raport të mirë kur ne të gjithë e dimë se gjendjen e kemi tjetër”.

“Prapë është shumë utopike dhe të gjithë e dimë se është zor të presësh prej njerëzve që e kanë shkaktuar këtë gjendje, që të njëjtit ta ndreqin. Nuk di ndonjë rast në botë të ketë ndodhur, që qeveria, e cila e ka sjellë gjendjen kësi soji, qoftë me korrupsion, qoftë me moskompetencë qeverisëse, që e njëjta ta ndryshojë”,
thekson Gjini për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, edhe disa qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinj, janë të zhgënjyer me ato që nxjerr raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën. Lulzim Morina thotë se, megjithatë, qytetarët nuk kanë pritur diçka tjetër, për shkak se e dinë gjendjen reale.

“Komisioni Evropian tashmë e ka thënë fjalën e tij, por edhe qytetarët po e shohin vazhdimisht që nuk janë duke dhënë sa duhet institucionet. Qytetarët janë duke e parë, janë të vetëdijshëm dhe për çdo ditë kanë vërejtjet e tyre. Por, mendoj se edhe qytetarët nuk janë duke e dhënë maksimumin për të bërë presion, me protesta me mbledhje... Nuk e di, por më së shumti kjo po i shkatërron qytetarët”, thotë Lulzimi.

Egzona Kallaba vlerëson se raporti i Komisionit Evropian është real:

“Po, është e vërtetë që Qeveria e Kosovës nuk e ka luftuar korrupsionin dhe kjo ndikon shumë, sepse pa arritur që ta luftojmë korrupsionin, ne nuk mund të arrijmë asgjë në përparimin e Kosovës. Në Evropë nuk mund të inkuadrohemi pa pasur ekonomi të mirë, pa e luftuar korrupsionin e kështu me radhë”.

Ndryshe, deputetja Osmani thekson se lidhur me procesin e fizibilitetit, Qeveria e Kosovës deri më tash ka ofruar vetëm politika deklarative dhe mediale, por jo edhe veprime konkrete.

Ndërkaq, deputeti Gjini vlerëson se Kosova ka hyrë në një cikël, siç e quan ai, problematik dhe se reforma zgjedhore duhet të përshpejtohet në mënyrë që të mbahen zgjedhjet dhe sipas tij, të arrihet deri te një qeveri, e cila problemeve aktuale do t’iu qaset në mënyrë të përpiktë dhe adekuate.
XS
SM
MD
LG