Ndërlidhjet

Derisa vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, autoritete kosovare duhet të kërkojnë që në këtë proces të fusin edhe kompensimin e dëmeve të luftës, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe juridike.

Sipas tyre nuk mund të normalizohen marrëdhëniet në mes dy shteteve, nëse Beogradi zyrtarë pretendon të injoron a po të vë në harresë shkatërrimet që ka bërë që gjatës konfliktit të vitit 1999.

Haki Shatri, ish ministër i Ekonomisë dhe Financave, njëherazi anëtar i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë, konsideron se tashmë është krijuar një moment i ri për ngritjen e kësaj çështje në bisedimet që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Shatri, thotë se pranimi i fajësisë për krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë nga ana e ish-shefit të shtabit të ushtrisë jugosllave, gjeneralit Dragolub Ojdaniq, ka dëshmuar se krimet e kryera mbi popullatën civile, përndjekjet, shkatërrimet ekonomike, ishin dirigjuar dhe udhëhequr nga aparatura shtetërore serbe.

Pra, ky moment, sipas Shatrit, duhet të shfrytëzohet.

Është një moment i shkëlqyer sepse kjo në një formë Serbinë e ka vënë në anën e fajtorit, përgjegjësit, për dëmet, krimet që ka bërë në Kosovë. Kështu që është krijuar edhe një moment i ri, bazik i pranuar prej vetë personave aktual, atëherë, që kanë qenë zyrtarë në ato krime dhe dëme".

"Ai ka pranuar që ka djegur shtëpi, ka shkatërruar ekonomi, çështje këto që janë pranuar para institucioneve ndërkombëtare”, thekson Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Edhe avokati Bejtush Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pala kosovare duhet që të shfrytëzojë këtë rast.

"Definitivisht, kjo është një ndryshim, pasi më në fund, dikush prej zyrtarëve më të lartë, prej zyrtarëve të ushtrisë serbe, që ka operuar në Kosovë, e ka pasur përgjegjësi direkt për të gjitha operacionet në Kosovë, zyrtarisht dhe në mënyrën më bindëse ka pranuar fajin, dhe ai faj nuk mund t'i adresohet asnjë individi fizik duke përfshirë këtu edhe gjeneralët e luftës, por pikërisht institucioneve të ushtrisë serbe dhe shtetit serb”, shprehet Isufi .

Sidoqoftë, përveç vrasjeve, dhunimeve, gjatë luftës së fundit në Kosovë, serbët kanë shkaktuar dëme në sektorin publik, atë privat, pastaj siç thuhet, grabitjen e Fondit Pensional, depozitave të qytetarëve e shumë dëme të tjera.

Por, këshilltari i lartë i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, për Radion Evropa e Lirë, shkurt u përgjigj se kjo është çështje teknike, dhe nuk është futur në agjendën e kryeministrit.

Kjo është çështje teknike, nuk është në agjendën tonë, mund të jetë në grupet tjera punuese më vonë, por jo në agjendën të kryeministrit".

Në anën tjetër Haki Shatri, mendon se ekzekutivi i vendit është shumë i papërgatitur në bisedimet që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi sipas tij, shumë çështje të rëndësishme për vendin, po neglizhohen nga pala kosovare.

Kam përshtypje se qeveria është totalisht e papërgatitur, kurse agjendën e bisedimeve e përgatit dikush tjetër, dhe këta shkojnë vetëm sa për të stolisur vendin. Sepse këta nuk kanë asnjë rol, nuk janë aktiv, sepse nuk dinë të shpjegojnë gjerat për të cilat janë kompetentë", vlerëson Shatri.

Ndryshe, sipas të dhënave të ekspertëve të ekonomisë, dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, llogariten deri në 15 miliardë dollarë.

Megjithatë, ende mungojnë të dhëna zyrtare, edhe pse udhëheqës të lartë të Qeverisë, tashmë kanë thënë se dëmet janë të evidentuara dhe me kohë shteti i Kosovës do të kërkojë llogari nga Serbia për to.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet