Ndërlidhjet

Kosova e Serbia do ta njohin njëra-tjetrën (?)


Paralajmërimin e ka dhënë vetë kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në prag të përvjetorit të pestë të pavarësimit të Kosovës.

Sipas shefit të qeverisë, procesi i dialogut po sjellë rezultate të cilat e bënë atë, që të nxjerrë një konkluzion të tillë.

“Në këtë 5 vjetor jemi në një proces pozitiv, atë të përmbylljes së konfliktit një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, pra në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi”, tha Thaçi të enjten paradite.

Nën moderimin e Brukselit, Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në bisedime të cilat kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, pa paragjykuar statusin e Kosovës.

Mirëpo në mbledhjen e së enjtes të qeverisë, kryeministri Thaçi tha se njohja e pavarësisë megjithatë është rezultati përfundimtar i dialogut Kosovë - Serbi, të cilin e pret Prishtina zyrtare.

Dhe si rrjedhojë, siç tha ai, edhe Kosova do të veprojë në reciprocitet karshi Serbisë, në procesin e dialogut politik.

“Një proces ky që duam të besojmë se nën udhëheqjen e BE-së, dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të përmbyllet me njohje reciproke, pra të shtetit të Serbisë për Kosovën dhe shteti i Kosovës që do ta njeh Serbinë, dhe do ta kemi një rajon të evropianizuar”, tha ai.

Ndërkaq, në Beograd, analistët politikë thonë se deklarata e shefit të qeverisë në Prishtinë, nuk dallon shumë nga fjalori i zyrtarëve serbë.

Predrag Simiq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe burrështetasit serbë duan t’i japin fund konfliktit serbo-shqiptar.

Por, ai nuk beson se zgjidhja mund të arrihet këtë vit.

Pavarësisht nga ajo që zyrtarët serbë edhe më tutje insistojnë se nuk do ta njohin Kosovën, mendoj se nga cilësia e zgjidhjes, që synojnë këto negociata, do të varet edhe situata për të cilën do të vendoset në Beograd".

"Kështu që mendoj se në këtë kohë, është herët të flitet, edhe pse e kuptoj që shefi i qeverisë së Kosovës flet për këtë zgjidhje në këtë kohë. Por, kolegët e tij në Beograd, janë në një situatë krejt tjetër, sepse ata tek tani duhet të arrijnë deri tek disa zgjidhje, të cilat janë në tavolinën [negociuese] në Bruksel”, tha ai.

Shefi i Qeverisë së Kosovës pritet të takohet gjatë javës së ardhshme, më 19 shkurt, me homologun e tij serb Ivica Daçiq në Bruksel.

Në tavolinën e bisedimeve, është paralajmëruar të jetë zgjidhja e çështjes së institucioneve që ka Serbia në pjesën veriore të Kosovës.

Këto struktura shihen nga Prishtina zyrtare si ilegale, dhe nuk njihet autoriteti i tyre.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton para takimit, ka përshëndetur kurajën e kryeministrave Thaçi e Daçiq, e cila solli në zbatimin e marrëveshjeve për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi dhe shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës.
XS
SM
MD
LG