Ndërlidhjet

Dënohen dy policë për korrupsion


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka marr vendim që të dënojë dy policë për vepra penale lidhur me korrupsionin dhe i shfajësoi katër të tjerë nga akuzat e ngjashme.

Trupi gjykues e shpalli fajtor të pandehurin Avni Shyti për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe e dënoi atë me pesë muaj burgim. Dënimi është pezulluar për një periudhë dy vjeçare të verifikimit. Shyti u lirua nga vepra penale e marrjes së mitos.

Nazmi Poterqoi, po ashtu, u shpall fajtor për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe për marrje të mitos dhe iu shqiptua një dënim i përgjithshëm prej një vjet e dy muaj burgim. Dënimi është pezulluar për një periudhë verifikimi prej dy vjet e gjashtë muaj.

Të pandehurit Naser Damati, Besim Smajli, Kemajl Hoti dhe Halit Fazliu u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga të gjitha akuzat.

Gjashtë të akuzuarit, të gjithë policë, në aktakuzë u akuzuan për shpërdorim të pozitës zyrtare për dhënie të informatave një dëshmitari bashkëpunues në lidhje me rrugët që mund t’i shfrytëzonte për aktivitetet e tij të paligjshme transportuese dhe për vendndodhjen e pikave të kontrollit të policisë. Aktakuza, po ashtu, pohonte që në disa raste, disa nga të akuzuarit, kur ishin të vendosur në pikat e kontrollit, personalisht e lejonin dëshmitarin bashkëpunues që të kalonte me mallrat kontrabandë.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
XS
SM
MD
LG