Ndërlidhjet

Në pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë-hartuesi i Planit të Ahtisaarit, Albert Rohan, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë se si shtet i ri që është, Kosova ka bërë përparime pozitive. Megjithatë, ai tërheq vërejtjen që, në kuadër të negociatave të tashme, të mos bëhen lëshime për veriun, duke thënë se duhet përjashtuar plotësisht, si ndarja, ashtu edhe autonomia rajonale e komunave serbe. Rohan, që thotë se ka lidhje të veçanta me Kosovën, që nga vitet ‘90, porosit kosovarët të qëndrojnë unikë në çuarjen e shtetit përpara.

RADIO EVROPA E LIRË

Zotëri Rohan, në pesë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës si e shihni shtetin e ri, i cili po përballet me sigurimin e sa më shumë njohjeve dhe të rimëkëmbjes ekonomike?

ALBERT ROHAN

Pikë së pari kur të analizohet situata në Kosovë duhet pasur parasysh se është një shtet shumë i ri, vetëm pesë vjeç. Në këto pesë vjet është arritur mjaft, si në aspektin e njohjeve, ashtu edhe në atë të ndërtimit të institucioneve, sistemit legal, të gjitha këto janë mjaft pozitive.

Natyrisht se ka edhe shumë për t’u bërë. Kosova është njohur nga rreth 100 shtete, por të tjerët ende hezitojnë ta njohin. Ekonomia është e dobët, papunësia e madhe ka probleme sociale, institucionet duhet të forcohen më shumë, Pra, ende ka shumë gjëra për t’u bërë. Por, për të bërë një bilanc, unë situatën do ta quaja pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË

Përmendët varfërinë, papunësinë…Kush mendoni se është përgjegjës për këto probleme, varfërinë, papunësinë e lartë, si dhe faktin se Kosova ende nuk është bërë anëtare e OKB-së?

ALBERT ROHAN

Anëtarësimi në OKB nuk ka të bëjë shumë me situatën ekonomike, në të vërtetë situata ekonomike është e keqe gjithandej në Evropë, papunësia është e madhe edhe në demokracitë e mëdha, si në Itali apo Spanjë, por sigurisht se kjo është e ndërlidhur me çështjen e njohjes dhe normalizimin e situatës.

Derisa kjo nuk është tërë çështja, megjithatë është vështirë që të ketë investime, për shembull. Është problem i vështirë, andaj nuk do ta fajësoja askënd në mënyrë specifike për këtë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË

Ndërkohë, në Bruksel, po zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e shihni këtë proces, mendoni se me të vërtetë ai do të çojë drejt normalizimit, kur merret parasysh kundërshtimi i fortë i Serbisë për pavarësinë e Kosovës?

ALBERT ROHAN

Pikë së pari ky dialog është i një rëndësie tepër të madhe. Ata që e kundërshtojnë këtë dialog, jetojnë në një botë ëndrrash. Natyrisht që Kosova duhet të normalizojë raportet me Serbinë dhe Serbia është faktor shumë i rëndësishëm.

Unë jam optimist, sepse sipas mendimit tim, edhe Prishtina edhe Beogradi kanë interes për arsye të ndryshme që dialogu të çojë në disa rezultate pozitive. Dhe, në të njëjtën kohë, ka presion. Serbia dëshiron që të marrë datën për hapjen e negociatave me BE-në, dhe e di se duhet të përmbushë disa kushte derisa ta marrë atë. Nuk ka shumë kohë, sepse Komisioni do të raportojë në muajin prill, andaj mendoj se vullneti politik ekziston në të dyja palët për të arritur marrëveshje.

Zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu, varet nga përkushtimi i BE-së

RADIO EVROPA E LIRË

Megjithatë jo të gjitha marrëveshjet që janë arritur në raundet e fundit të negociatave, zbatohen sot?

ALBERT ROHAN

Po, por, Menaxhimi i Integruar i Kufirit është vendosur dhe duket se po funksionon mirë. Natyrisht që marrëveshja është një gjë dhe zbatimi një gjë tjetër. Por, ta shohim një shembull, mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia të tërheqë këtë personelin e fshehtë policor që gjendet në veri. Kjo mund të bëhet brenda dy ditësh, sepse secili e di se kush janë ata njerëz dhe mund të largohen.

Gjërat tjera si zgjedhjet lokale do marrin më shumë kohë. Por, këtu BE-ja do të luajë rol thelbësor. Bashkimi Evropian duhet të jetë i përkushtuar në përmbushjen e marrëveshjeve nga të dy palët.

RADIO EVROPA E LIRË

A është BE-ja e përkushtuar?

ALBERT ROHAN

Mendoj se po. Mendoj se zonja Ashton e di shumë mirë se çka është e nevojshme. Mendoj se ajo do të këmbëngulë dhe do të jetë një lloj garantuese e marrëveshjeve.

RADIOE EVROPA E LIRË

Përmendët veriun dhe policinë serbe. Ka pasur shumë sugjerime për zgjidhjen e çështjes së veriut, në veçanti në lidhje me strukturat paralele. Ju keni thënë gjithnjë se zgjidhja gjendet në Planin Ahtisaari. Çka nëse ky plan modifikohet?

ALBERT ROHAN

Po qe se të dy palët pajtohen, ato mund të pajtohen për çdo gjë, kjo është në rregull, por nuk mendoj se këtu kemi të bëjmë me një çështje të tillë. Mendoj se dy pyetjet, nëse duhet ketë ndarje - kjo përjashtohet plotësisht, askush nuk do ta pranojë këtë dhe mundësia e dytë është autonomia rajonale, që, sipas mendimit tim duhet të refuzohet, sepse është e panevojshme, sepse nuk është e duhur që të ketë dy lloj grupe serbe në Kosovë, një në veri me autonomi rajonale dhe tjetra në jug, me autonomi komunale. Mendoj se autonomia komunale, që ofrohet me Planin Ahtisari i ofron komunitetit serb vetëqeverisje në masë të madhe dhe kjo është ajo që duhet në të vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË

Grupi Ndërkombëtar Drejtues ka përfunduar punën me Kosovës, dhe Zyra Civile Ndërkombëtare është shuar. Megjithatë, mbeten ende institucione ndërkombëtare si KFOR-I, EULEX-i. Përderisa për KFOR-in, ekziston një pikëpamje pozitive, përse mendoni se EULEX-i nuk u tregua më i suksesshëm?

ALBERT ROHAN

Është punë shumë e komplikuar. EULEX-i ka dy anë të mandatit, njëra të mbështesë institucionet kosovare në fushën e drejtësisë dhe këtë po e bëjnë mirë. Dhe, tjetra është që të hetojnë krime të caktuara, krimin e organizuar, korrupsionin. Këto çështje komplikuara dhe mund t’i shohim në shtete tjera, ku proceset marrin shumë vjet. Do të doja që EULEX-i të jetë më efektiv, por duhet të pranojmë se kjo nuk është çështje e lehtë…

Vuaj dhe gëzohem për Kosovën me kosovarët

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Rohan, një pyetje tjetër më personale. Ju mbase e dini secilën shkronjë të Planit Ahtisaari dhe keni lidhje të veçanta me Kosovën. Në këtë rrafsh, si i përjetoni personalisht lajmet nga Kosova, qofshin ato pozitive apo negative?

ALBERT ROHAN

Kam qenë i lidhur me Kosovën për kohë të gjatë, për herë të parë kam ardhur në vitin 1992, dhe ndërkohë, shumë më herët para negociatave në Vjenë, kam qenë atje çdo vit, në vitet 1998-1999, gjatë luftës kam qenë dy herë. Natyrisht, kam shumë miq në Kosovë dhe ndjej shumë për Kosovën, vuaj për Kosovën me kosovarët dhe gëzohem kur të ketë lajme pozitive dhe kështu po ndihem aktualisht.

RADIO EVROPA E LIRË

Çfarë mesazhi keni në këtë pesë-vjetor?

ALBERT ROHAN

Mesazhi im është që të jeni krenarë për atë që keni arritur dhe të fokusoheni në problemet reale që kanë njerëzit, që kanë të bëjnë me situatën ekonomike e sociale dhe përforcimi i institucioneve. Mesazhi im do të jetë se në situatën kur ka shumë probleme që duhet të tejkalohen, e tëra shoqëria, të gjitha partitë politike, shoqëria civile duhet të bashkohen dhe të fokusohen për të përmirësuar imazhin dhe për t'i tejkaluar këto probleme. Duhet të qëndrojnë së bashku.

Trego komentet