Ndërlidhjet

Edhe një shpërthim në veri të Mitrovicës


Prona e një polici të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës ka qenë cak i sulmit të radhës me mjet shpërthyes. Policia thotë se nuk ka të lënduar nga ky rast.

Ky është sulmi i dytë brenda 24 orëve, në veri të Mitrovicës, e cila është shndërruar në një zonë të shpërthimeve të shpeshta.

Sipas forcave të rendit, shtëpia e kolegut të tyre që gjendet në rrugën Mesha Selimoviq, është sulmuar rreth orës 01:30.

Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti, tha për Radion Evropa e Lirë, se polici i nacionalitetit boshnjak ka qenë në gjumë gjatë kohës së incidentit.

Ai sqaroi se ky incident, nga gjetjet e para të hetuesve policor, del se është shkaktuar nga “një mjet eksplodues me mbushje” e jo granatë dorë, sic ishin kryer disa akte të tilla në rajonin verior.

Zahiti tha se polica ende nuk ka një motiv për këtë incident.

“Nuk mundemi me u thirr në atë drejtim, se a ka qenë qëllimi frikësim apo diçka tjetër, derisa nuk kemi një motiv zyrtar që e sjellin hetimet. Por,ky [sulm] dallon prej atyre që kanë qenë paraprakisht, për faktin se është pjesëtar i policisë në veri,” tha Zahiti.

Prona e policit të sulmuar gjendet në afërsi të konvikteve të studentëve të Universitetit të veriut të Mitrovicës veriore. Nga detonimi kanë plasur disa xhama të shtëpisë.
XS
SM
MD
LG