Ndërlidhjet

logo-print

Asociacion i komunave, apo “mini-parlament” serb?


Republika e Kosovës

Republika e Kosovës

Krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën dhe pakon e presidentit Ahtisaari, tërheqin vërejtjen përfaqësues politikë dhe analistë në Prishtinë.

Ideja për krijimin e një asociacioni të komunave serbe në veri është riaktualizuar në kuadër të bisedimeve politike që po zhvillojnë Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në kërkim të një zgjidhjeje për pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Por, delegimi i përfaqësuesve të komunave në një asociacion apo bashkësi, varësisht si do të quhej, për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, do të nënkuptonte krijimin e shtresës së tretë të pushtetit.

“Tendenca e Serbisë, pavarësisht si quhet apo si është emëruar ky organ, është tendencë për të krijuar një mini-parlament, ku komunat delegojnë përfaqësuesit e vet dhe ku delegojnë përgjegjësitë në vendimmarrje dhe ky është kërcënim për Kosovën, sepse krijohet shtresa e tretë e pushtetit që quhet administratë, apo niveli i mesëm i pushtetit. Kjo nuk guxon të ndodhë”, thotë Haziri.

Edhe analisti Mazllum Baraliu pohon se krijimi i institucioneve të reja, qofshin edhe asociacione të komunave, do të nënkuptonte devijim nga Kushtetuta dhe Pakoja e presidentit Ahtisaari, e cila kishte shërbyer si dokument gjithëpërfshirës për zgjidhje n e statusit të Kosovës.

Madje, ai beson se me një zgjidhje të tillë, do të ishte një burim i tensioneve të reja në vend.

“Do të ishte kthim prapa. Do të ishte e pavolitshme dhe do të ishte një detonator që mund të destabilizonte dhe krijonte probleme në të ardhmen. Zgjidhjet e tilla jashtë Kushtetutës dhe jashtë kornizave të pakos së Ahtisaarit që është kulmi i mundshëm i realizimit të standardeve ndërkombëtare për një minoritet, atëherë do të mund të ketë pasoja, të cilat do të cenonin funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe konsolidimin e tij në të ardhmen”, shprehet Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Barliu thotë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk mund të ketë organizim të kurrfarë trupave në asnjë nivel, që të mos bie ndesh me aktin më të lartë juridik, pavarësisht pretendimeve nga palët negociuese për gjetjen e një zgjidhjeje që nuk do të shkelte në Kushtetutën e Kosovës.
Kurrfarë trupa nuk mund të ketë përveç atyre që janë paraparë me Planin e Ahtisaarit...

“Kurrfarë trupa nuk mund të ketë përveç atyre që janë paraparë me planin e Ahtisaarit dhe veprimet - se veprimet që do të pasohen, duhet të jenë të njëjta me rastet e formimit të komunave tjera me shumicë serbe në pjesët tjera të Kosovës”, vlerëson Baraliu.

Derisa, autoritetet në Beograd kanë shprehur gatishmërinë që në kuadër të bisedimeve me Prishtinën të gjejnë një zgjidhje për funksionimin në të ardhmen të strukturave aktuale paralele në veri, përfaqësuesit e komunitetit serb e kundërshtojnë çdo modalitet që do t’i ndante ata nga ligjet dhe Kushtetuta e Serbisë.

Njëri nga përfaqësuesit serb të veriut, Radenko Nedelkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm ligjet serbe garantojnë jetesën dhe ekzistencën e serbëve në këtë pjesë të Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Serbisë është në fuqi sikurse edhe Rezoluta 12 44 dhe sipas kësaj, këtu gjithçka është e qartë”, thotë Nedelkoviq, duke rikujtuar se komunat veriore e kanë shprehur vullnetin e tyre se do të funksionojnë vetëm në kuadër të ligjeve serbe dhe assesi në harmoni me ligjet e Republikës së Kosovës.

Prishtina dhe Beogradi dallojnë në qëndrime edhe në lidhje me përbërjen eventuale të asociacionit të komunave serbe. Beogradi ka kërkuar që ky asociacion apo kjo bashkësi, siç e quajnë ata, të përfshije të nëntë komunat me shumicë serbe në Kosovë, kurse Prishtina, të paktën sipas informacioneve të para, thuhet se ka ofruar zgjidhjen për përfshirjen në këtë organ të katër komunave veriore.

Sidoqoftë, për modalitetet dhe kompetencat që do të kishte një trup i tillë ka mbetur që palët t’i vazhdojnë negociatat në të ardhmen.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG