Ndërlidhjet

Trysnia politike, më e theksuar në Maqedoni


Ilustrim
Ilustrim


Pothuajse 44 për qind e të punësuarve në Maqedoni, ballafaqohen me trysni psikike në vendin e tyre të punës, janë shifrat që dalin nga hulumtimi i realizuar nga ana e zyrës, e cila ndihmon viktimat nga trysnia politike.

Trysnia është një formë tepër specifike dhe shumë vështirë mund të dëshmohet, ajo shprehet në forma të ndryshme në vendin e punës, si nga ana e punëdhënësit, ashut edhe nga kolegët që kanë mburojë politike pas vetes, thekson Maja Ristova, përfaqësuese juridike në zyrën, e cila u ofron ndihmë viktimave nga trysnia, në kuadër të Lidhjes së Sindikatave.

“Gjatë periudhës së fundit në Maqedoni, më e shprehur është trysnia politike, por jo më pak kemi raste të trysnisë edhe në forma të tjera”, thotë Ristova.

Ajo inkurajon qytetarët që të mos hezitojnë të denoncojnë para organeve të drejtësisë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me çfarëdo lloj trysnie në vendin e punës.

“Çdokush që ndihet i kërcënuar dhe që mendon se është viktimë e trysnisë, mund të paraqitet në SOS telefonin. Me vetë këtë denoncim, ne palëve që janë viktimë e trysnisë, u garantojmë diskrecion maksimal për të gjitha të dhënat që ata do të na i japin".

"Ekipi ynë, pasi të realizojë pyetësorin e hartuar për këtë qëllim, dhe analizojmë të gjitha dëshmitë që na i siguron presoni që ka denoncuar rastin, menjëherë ndërmerr të gjitha veprimet, të cilat i garanton ligji për të mbrojtur punëtorët”,
shpjegon Ristova.

Por, Artan Sadiku, nga lëvizja qytetare, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve "Solidariteti", thotë se të gjitha ligjet janë në funksion të mbrojtjes së punëdhënësit dhe jo punëtorëve, andaj, sipas tij, në shumë raste qytetarët hezitojnë ta denoncojnë trysninë që u bëhet në vendin e punës, duke kërcënuar kështu jo vetëm kualitetin gjatë shërbimeve të caktuara, por edhe autoritetin para kolegëve dhe familjes.

“Si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik, kemi një trashëgimi tashmë dydekadëshe me ç'rast zhvillohet një luftë legale ndaj punëtorëve, më saktësisht përmes miratimit të ligjeve të shumta, punëtorët zhvishen nga realizimi i të drejtave të tyre".

"Si pasojë, në Maqedoni kemi arritur në atë gjendje ku pothuajse është e paligjshme, më saktë, është e pamundur që punëtorët të organizojnë një grevë pa mos e thyer ndonjë ligj, dhe nga ana tjetër, po përmes ligjit, punëdhënësit janë tej mase të mbrojtur nga çfarëdo lloj padie nga ana e punëtorëve”
, thekson Sadiku, duke shtuar se pikërisht trysnia politike është më e theksuar gjatë periudhës së fushatave zgjedhore.

“Akoma më e tmerrshme situata është në sektorin publik, me ç'rast, ne në Maqedoni, nuk kemi punëtorë që punojnë në administratë dhe i përgjigjen ligjit, por kemi një formë të privatizimit partiak të administratës".

"Punëtorët, këtë ekspozim të tyre të pambrojtur nga ligji, nuk mund ta luftojnë kundrejt drejtorëve të agjencive, drejtorëve të institucioneve, të cilët gjatë zgjedhjeve kanë mandat që brenda institucioneve që i drejtojnë, të sigurojnë vota për partitë e tyre”
, shprehet Sadiku.

Të dhënat nga Zyra për ndihmë dhe edukim të viktimave nga trysnia në vendin e punës, theksojnë se “trysnia politike është më e theksuar në institucionet shtetërore. Kjo njëherësh ndikon dhe në shëndetin e punëtorëve administrativë dhe gjendjen emocionale të tyre, duke përfshirë këtu dhe shtrirjen e konfliktit edhe në familje, dhe kërcënimin e reputacionit të institucioneve përkatëse".

Ndërkohë në fazë të përgatitjes, është propozim-ligji për mbrojtje nga trysnia, përmes të cilit parashihet dënim në vlerë prej 5 deri 20 mijë euro për ata që ushtrojnë trysni.
XS
SM
MD
LG