Ndërlidhjet

Shpërthim i ri në Mitrovicë


Mitrovicë...
Mitrovicë...
Një shpërthim i ri ka ndodhur të hënën rreth orës 23 e 10 minuta në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht në rrugën "Sutjeska", apo pranë ish- barnatores së shtetit, njofton Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

Zëdhënësi Avni Zahiti, i tha Radios Evropa e Lirë, se mjeti i shpërthimit ende nuk dihet, ndërsa ai ka dëmtuar ballkonin e një banese të një qytetari serb të Kosovës.

Njësitet e zjarrfikësve është dashur të intervenojnë për të shuar zjarrin në ballkon.

Zahiti tha se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar.

Ky është rasti i fundit në valën e shpërthimeve të tilla, që në muajt e fundit, po ndodhin thuajse çdo ditë në pjesën veriore të Mitrovicës.

As për këtë shpërthim policia nuk ka të dyshuar e as të arrestuar.

Veriu i Mitrovicës, është zonë e brishtë e sigurisë, dhe vazhdimisht ka qenë arenë incidentesh e shpërthimesh.

Dhuna është shpeshtuar në kohët e fundit dhe sipas disa analistëve kjo është pasojë e bisedimeve mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, të cilët po shqyrtojnë zgjidhjen e problemit të strukturave paralele serbe, që kontrollojnë si këtë pjesë të qytetit, ashtu edhe tri komunat tjera me shumicë serbe ne veri.

Kjo pjesë e Kosovës nuk ka njohur asnjëherë autoritetin e Prishtinës zyrtare, derisa strukturat paralele janë financuar rregullisht nga Qeveria e Serbisë.
XS
SM
MD
LG