Ndërlidhjet

Qeveria e SHBA-së “ka kurdisur” komplote terroriste


Agjentët e FBI-së në një skenë krimi
Agjentët e FBI-së në një skenë krimi
Që nga sulmet e 11 Shtatorit, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara ka thënë se ka arritur shumë rezultate në luftën kundër terrorizmit. Sa herë që është arrestuar një terrorist i dyshuar, publikut i është thënë se është parandaluar një komplot i tmerrshëm.

Por, pas kërkikmeve në mijëra dokumente të gjykatave, gazetari hulumtues, Trevor Aaronson, ka ardhur në një tjetër konstatim – se shumica e njerëzve të arrestuar mund të mos bënin kurrë atë për çfarë janë akuzuar, nëse FBI nuk do t’iu jepte mjetet për ta bërë.

Trevor Aaronson
Trevor Aaronson
Në librin e tij të ri: “Fabrika e Terrorit: Brenda Luftës Anti-Terrorizëm, të Prodhuar nga FBI”, Aaronson argumenton se Qeveria amerikane është përgjegjëse për kurdisjen dhe financimin e shumë komploteve terroriste në Shtetet e Bashkuara.

“FBI është në kërkim të atyre që i quan “ujq të vetmuar terroristë”, të cilët mund të fshihen në ndonjë aparatament… Ajo përdor operacionet kurdisëse për t’i gjetur këta njerëz – njerëz që mund të kenë dëshirë të kryejnë akte terrorizmi – pastaj, i josh dhe i përfshin në komplote terroriste, për të cilat në fund ndiqen penalisht”, thotë Aaronson për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk përjashton rastet që paraqesin rreziqe të vërteta, si ai i Faisal Shahzad-it, i cili ka qenë shumë pranë sulmit në Times Square të Nju Jorkut, apo ai i Najibullah Zazit, i cili ka pasur plane konkrete për bombardimin e sistemit të metrosë, po ashtu në Nju Jork.

Por, megjithatë, shton Aaronson, janë mbi 150 njerëz, të cilët janë kapur në operacione të kurdisura. Sipas tij, ata nuk kanë pasur mjete e, në disa raste, as ide, për komplot terrorist.

“Ka qenë FBI ajo që u ka siguruar bombat, transportin, gjithçka të nevojshme për një komplot terrorist, të cilin vetë nuk do të mund ta kryenin kurrë. Dhe, provat tregojnë se në shumicën e këtyre rasteve, ata nuk kanë pasur ndonjë lidhje specifike me terrorizmin”, thotë Aaronson, për të shpjeguar në detaje se si ndodh një operacion i kurdisur...

“Në një operacion të kurdisur, agjenti i fshehtë i FBI-së paraqitet si operues i Al Kaidës apo ndonjë grupi tjetër terrorist, dhe personit të caktuar i thotë: ‘Kam gjithçka që të duhet për një komplot terrorist. Mund të të siguroj transportin dhe çdo gjë që të duhet’. Kur personi i caktuar siguron bombën, e vendos në makinë dhe formon numrin, për të cilin beson se do ta shpërthejë bombën dhe do të vrasë dhjetëra njerëz, ai atëherë arrestohet. Dhe kështu, në operacionet e kurdisura, qeveria bëhet pjesë e komplotit”, thotë Aaronson.

Në librin e tij, ai ka shkruar se çelës i operacioneve të kurdisura janë informatorët që gjejnë simpatizuesit terroristë dhe i sjellin ata në vëmendjen e FBI-së. Kjo byro, sipas tij, ka rreth 15,000 informatorë, të cilët paguhen nga 100,000 dollarë deri në 400,000.

Libri i Aaronson-it ka dalë pak javë më parë dhe Radio Evropa e Lirë ka kërkuar komente edhe nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Dean Boyd, zëdhënës i divizionit për siguri kombëtare, ka thënë se nuk e ka lexuar librin në fjalë, por ka pranuar se operacionet e kuridsuara janë kryer për dekada të tëra. Sipas tij, ato kanë për qëllim të luftojnë të gjitha llojet e krimeve, përfshirë pornografinë e fëmijëve, korrupsionin publik, mashtrimin financiar, vrasjet e paguara, trafikimin me drogë dhe të tjera.

“Duhet të theksohet se operacionet kurdisëse janë vetëm njëri nga mjetet që mund të përdoren për të neutralizuar një komplot të dhunshëm. Shumë raste kundër terrorizmit nuk përfshijnë operacionet e tilla. Përdorimi i këtyre teknikave varet krejtësisht nga faktet dhe rrethanat e secilit rast. Operacionet e kurdisura janë përdorur kur kanë qenë të përshtatshme për të penguar komplotet e dhunshme dhe për të mbrojutur publikun”, ka thënë Boyd. (v.tela)
XS
SM
MD
LG