Ndërlidhjet

Tango e rrezikshme në Bosnjë: Islami dhe nacionalizmi


Bosnjë, foto arkiv
Bosnjë, foto arkiv

Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave shqyrton një përzierje në rritje të nacionalizmit boshnjak, i cili mund të jetë islamik ose laik, dhe identitetit shetëror të Bosnjës. Islami politik është risi në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe rritja e tij shihet si kërcënim për partitë laike dhe jomyslimane.

Dhjetëra sulme, që u atribuohen boshnjakëve në dekadën e kaluar, kanë rritur frikën për terrorizëm. Megjithatë, grupet jo-tradicionale Salafi apo të tjerat islamike, të cilat janë shfaqur në margjinat e shoqërisë, mbeten të vogla dhe të izoluara.

“Pothuajse çdo akt i dhunës, i frymëzuar nga islamizmi, ka ardhur nga vendet ku institucionet islamike janë të dobëta ose mungojnë dhe autorët kanë pasur një të kaluar të trazuar”, thotë Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Marko Prelec
Marko Prelec
“Ka shumë zemërim dhe frustrim në mesin e boshnjakëve dhe figurat kryesore në institucionet islamike kanë shfrytëzuar një gjë të tillë për të çuar përpara qëllimet e tyre politike”, shton Prelec.

Bashkësia Islame në Bosnjë është rritur nga një organizatë fetare në një aktor të rëndësishëm politik, i cili ka ndihmuar në formimin e identitetit boshnjak.

Lideri karizmatik dhe me ndikim i saj, Mustafa Ceriq, ka thënë se Bosnja, edhe pse me përbërje multi-etnike, duhet të jetë komb-shtet boshnjak, pasi “kroatët dhe serbët i kanë shtetet e tyre”.

Ky vizion është tërheqës për shumë boshnjakë, përfshirë edhe disa që janë krejtësisht laikë, por jo edhe për kroatët e serbët. Nëse kjo bëhet pikëpamje dominuese e Bosnjës, ka gjasa të ketë konflikt dhe paqëndrueshmëri të vazhdueshme, tërheq vërejtjen Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Andaj, sipas tij, Bashkësia Islame duhet të nxisë pikëpamjen e një shteti të përbashkët, në të cilin të gjitha grupet ndjehen të barabarta dhe përqendrohen në rinovimin e institucioneve të tyre.

Salafisët e Bosnjës janë të ndarë në lojalitetin ndaj shtetit dhe Bashkësisë Islame. Shumica e atyre që pranojnë këto institucione, janë patriotë të ashpër, ndërsa disa kanë luftuar si muxhahedinë në luftën e viteve 1990.

Ata që i cilësojnë ato si jo-islamike, kanë tendenca të tërhiqen në vendbanime të izoluara për të praktikuar besimin e tyre dhe janë më të interesuar për umma-n globale, përkatësisht komunitetin islamik, sesa për fatin e Bosnjës.

Asnjë grup nuk ka treguar tendencë për dhunë dhe shumica e sulmeve kanë qenë vepër e emigrantëve ose personave me të dhëna të dokumentuara kriminale dhe psikologjike, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Sipas tij, Bashkësia Islame dhe shteti i Bosnjës duhet të bashkëpunojnë për të angazhuar Salafisët e padhunshëm, sidomos ata që kthehen nga diaspora, në dialogun që inkurajon integrimin e tyre.

“Komuniteti islamik ka promovuar një përqafim patriortik të shtetit. Stabiliteti varet nga ajo nëse arrin të ketë sukses në hartimin e një vizioni për Bosnjën, e cila mund të ndahet edhe me kroatët e serbët”, thotë Sabine Freizer, drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

“Me hyrjen në arenën politike, komuniteti islamik ka përgjegjësi që të riangazhohet në dialogun ndërfetar dhe të avancojë zgjidhjet e kompromisit, të cilat mund të shmangin copëzimin e mëtejshëm të vendit”, thotë Freizer. (v.tela)
XS
SM
MD
LG