Ndërlidhjet

Edhe një shpërthim tjetër në veri të Mitrovicës


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Persona të panjohur kanë sulmuar mbrëmë me mjet shpërthyes banesën e një familjeje boshnjake në afërsi të vendit të quajtur Tre Rrokaqiejt, në pjesën veriore të Mitrovicës, njofton Policia e Kosovës.

Zëvendës-drejtori rajonal i Policisë në Mitrovicë, Ergin Mediq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar, ndërsa hetimet janë në vazhdim e sipër.

Bëhet e ditur se kjo shtëpi është në pronësi të Tahir Memoviqit, punonjës në Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas Mediqit, ky është sulmi i 19 me radhë në veri të Mitrovicës që nga 1 janari i këtij viti.

“Sulmet janë heterogjene. Personat e sulmuar, janë pjesëtarë të institucioneve të ndryshme... ”, ka thënë Mediq.

Objektiv i sulmeve të mëparshme kanë qenë familje të përkatësisë etnike shqiptare, boshnjake dhe serbe, si dhe institucione serbe në veri.

Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në Mitrovicë me anë të një deklarate me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka dënuar ashpër veprimet e tilla, pasi që sipas saj, qytetarët janë të shqetësuar.

“Në muajt e fundit, kanë ndodhur sulme të rrezikshme ndaj qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës të kryera nga persona të panjohur. Shpresoj që organet kompetente do të arrijnë të zbulojnë autorët e këtyre veprimeve kriminale që janë duke krijuar një pasiguri për qytetarët e kësaj pjesë”, ka thënë Hoxhiq.
XS
SM
MD
LG