Ndërlidhjet

Në SHBA agon dita e sekuestrimit…

  • Heather Maher

“Sekuestrimi” është një fjalë, të cilën shumica e amerikanëve nuk e kanë ditur deri disa muaj më parë.

Ai ndodh kur Kongresi dhe presidenti Barack Obama të dështojnë sërish të arrijnë marrëveshje për buxhetin, e cila do të ndalonte ekonominë amerikane të shkojë në “tatëpjetë fiskale”.

Kjo tatëpjetë nënkupton rritje automatike të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve, të cilat do të hynin në fuqi më 1 janar, nëse ligjvënësit nuk do të binin dakord për buxhetin.

Sekuestrimi ka lindur rreth orës 02:00, në ditën e Vitit të Ri, kur Kongresia ka kaluar një ligj emergjent, i cili ka shmangur tatëpjetën fiskale dhe ka vendosur një afat të ri për marrëveshjen buxhetore.

Si mënyrë për të detyruar veten që të arrijnë marrëveshje deri në datën e re, ligjënësit kanë paralajmëruar: Nëse marrëveshja nuk arrihet deri më 1 mars, shkurtimet masive do të hyjnë automatikisht në fuqi.

Shkurtimet në vlerë prej 85 miliardë dollarësh në programet e brendshme dhe të mbrojtjes është pritur të jenë aq të frikshme, saqë ligjvënësit të mos kenë zgjedhje dhe të bëjnë marrëveshje në afat. Por, ata nuk kanë bërë.

Kjo paraqet, sipas gjykimit tim, një dështim masiv, shembullin e fundit të dështimit të qeverisjes në Uashington. Sekuestrimi është projektuar që të mos hyjë kurrë në fuqi, që dy partitë politike të ndërmarrin diçka më të mirë së bashku, por nuk kanë ndërmarrë”, thotë William Galston, nga Instituti Brookings.

Po, përse ligjvënësit nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje?

Obama është rizgjedhur në vitin 2012 me premtimin për të mbrojtur programet, të cilat ndihmojnë të varfrit dhe të moshuarit, dhe për t’iu kërkuar të pasurve të paguajnë më shumë taksa.

Republikanët, të cilët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kundërshtojnë rritjen e taksave dhe duan shkurtime më të thella në programet sociale. Asnjëra palë nuk ka buxhet.

Në përpjekje për të bërë presion publik mbi republikanët, Obama ka udhëtuar anembanë vendit duke paralajmëruar për pasojat e sekuestrimit. Më 19 shkurt, 10 ditë para afatit të fundit për marrëveshje, ai ka thënë:

Nëse Kongresi lejon këtë hanxhar, ai do të vërë në rrezik gatishmërinë tonë ushtarake; ai do të dëmtojë investimet për vende të reja pune në arsim, në hulumtime energjetike dhe mjekësore”.

Por, shumë republikanë thonë se kritikat publike të presidentit kanë dëmtuar shanset e tij për arritjen e kompromisit. Obama takon sot në Shtëpinë e Bardhë liderët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, por askush nuk parashikon marrëveshje.

Bllokada ka rritur tensionet në Kongres dhe duket se ka ndarë edhe më shumë udhëheqësit partiakë.

Për 16 muaj, presidenti ka udhëtuar anembanë vendit, duke mbajtur tubime, në vend se të ulet me liderët e Senatit dhe të përpiqet të arrijë marrëveshje”, ka thënë kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, më 26 shkurt.

Tani shtrohet pyetja: kush dhe çfarë do të preket nga sekuestrimi?

Dhimbja nuk do të ndjehet menjëherë; në disa zona, do të duhen javë para se të vihen re efektet.

Por, megjithatë, sekuestrimi ka nisur të shkaktojë frikë: afro 60 për qind e amerikanëve mendojnë se shkurtimet do të dëmtojnë ekonominë, bazuar në një aketë që ka realizuar Gallup-i.


~ ~ ~

Kjo është një listë e asaj çfarë ka ndodhur dhe çfarë mund të ndodhë nëse shkurtimet vazhdojnë të lejohen:

- Qindra imigrantë të paligjshëm janë liruar nga burgu në “liri të mbikëqyrur”, derisa rastet e tyre janë në përpunim.

- Vendosja e aeroplanmbajtëses USS Harry S.Truman në Gjirin Persik është vonuar.

- Do të ketë më pak inspektim të ushqimit, çfarë do të rrisë rrezikun për konsumatorët, thotë Agjencia për Ushqim e SHBA-së.
- Më shumë se gjysma e 1.2 trilion punonjësve qeveritarë mund të dërgohet në pushim të përkohshëm pa pagesë.

- Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka thënë se 800,000 punonjës civilë të departamentit të mbrojtjes mund të dërgohen në pushim pa pagesë.

- Aeroportet më të ngarkuara të vendit mund të mbyllin disa pista, çfarë do të shkaktonte vonesa dhe anulime të fluturimeve.

- 14 mijë mësues të shkollave mund të shkarkohen, ndërsa 70,000 fëmijëve mund t’iu ndalohet të ndjekin programet parashkollore.

- Orët e vizitave në parqet nacionale do të reduktohen dhe mijëra punonjës sezonalë do të pushohen nga puna.(v.tela)
XS
SM
MD
LG