Ndërlidhjet

Libri i shtrenjtë!


Çmimet e librave në Kosovë, sipas disa qytetarëve dhe pronarëve të librarive, janë të larta, arsye kjo që i shtyn njerëzit të mos lexojnë dhe aq.

Rina Sekiraça, studente, thotë se çmimet e librave janë të shtrenjta dhe domosdo kjo ka ndikuar në rënien e lexueshmërisë nga ana e të rinjve.

"Po lexoj. Por, për studentët, mendoj se janë shtrenjtë. Unë jam studente dhe duhet ta kontrolloj buxhetin, kurse blerja e librave të shumtë nuk na konvenon. Çmimi i librit po të ishte më i ulët dhe më i arsyeshëm, sigurisht se do të rriteshin kërkesat për libra dhe do të ishin më atraktive", thotë Rina.

Edhe Kreshnik Tahiri, student, mendon se çmimi më i ulët i librit do të ndikonte në rritjen e numrit të lexuesve.

"Mundohem t'i lexoj e kohës. Po të ishin çmimet më të ulëta, do të ishte leximi më kualitativ dhe do të kishim blerë atë që dëshirojmë. Përndryshe, shpesh i huazojmë librat nga njëri-tjetri dhe në një mënyrë ose tjetër të imponohet leximi", pohon Kreshniku.

Në tregun e literaturës, një ndikim të padiskutueshëm ka luajtur edhe interneti, nga i cili, libra të shumtë mund të shkarkohen dhe lexohen përmes ekranit. Por, disa nga të rinjtë thonë se libra në gjuhën shqipë në internet, ka shumë pak.

"Sa i përket internetit, ka ndikuar, por aty nuk mund të gjesh libra shqip. Shumicën e librave mund t'i lexojmë në gjuhë tjera, por jo edhe në gjuhën shqipe", shton Kreshnik Tahiri.

Ndërkaq, pronarë librarish thonë se çmimet sillen nga 1 deri në qindra euro për një libër.

Florim Beqiri, shitës i librave thotë se me gjithë interesimin e madh nga ana e qytetarëve për librat, shitja e tyre është e paktë, për shkak se, siç thotë ai, blerësit ankohen për çmime të larta të librave.

"Ka shumë kërkesa për libra, por duke e pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike, e shohim që kërkesa ka shumë, por njerëzit nuk blejnë aq. Zakonisht, çmimet e librave që janë të përdorur janë nga 50 centë deri në 2 euro, derisa botimet e reja nga 5 euro deri 20 euro", thotë Beqiri.

Sipas Beqirit, gjatë ditës ai zakonisht shet 5 deri në 7 libra:

"Është shumë pak. Kërkesa ka, por pamundësia për t'i paguar bën që shitja të jetë kjo që është".

E, nga pamundësia për t’i blerë librat, shumë të rinj anëtarësohen në bibliotekë dhe huazojnë libra për lexim. Njëra nga ata lexues është edhe Majlinda Hoti, studente e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

"Si studente, librat i huazoj në bibliotekë. Jam anëtarësuar në bibliotekë, anëtarësimi është 5 euro në vit dhe aty marr libra dhe lexoj. Përndryshe nuk kam mundësi t’i blej se janë shumë shtrenjtë", tregon Majlinda.

Derisa ka edhe të rinj që nuk lexojnë fare libra, përpos ato të studimeve. Njomza Krasniqi, studente e Etnologjisë, shprehet:

"Lexoj shumë pak. Më shumë lexoj libra që na duhen për studime. Unë studioj Etnologji, dhe kërkon shumë të lexosh, por më shumë për trashëgimi, kulturë, derisa libra për qejf timin nuk kam kohë të lexoj dhe nuk i blej fare".

Sidoqoftë, pronarë nga studio të fotokopjimeve thonë se kërkesat për të fotokopjuar libra janë mjaft të mëdha, kryesisht nga studentët. Kjo, sipas tyre, vjen si rezultat i pamundësisë për t'i blerë librat meqë çmimet e tyre konsiderohen të jenë të shtrenjta.
XS
SM
MD
LG