Ndërlidhjet

Zgjidhet kriza politike në Maqedoni


Pamje nga takimi i së premtes
Pamje nga takimi i së premtes
Është zgjidhur kriza politike në Maqedoni pas bisedimeve intensive të komisionarit për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, të premten, në Shkup, me drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe liderin e opozitës, Branko Cërvenkovski.

Marrëveshja parasheh pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet lokale të 24 marsit, si dhe formimin e një komisioni të pavarur, i cili do të përcaktoj arsyet e incidentit të dhjetorit të kaluar në Kuvend, kur deputetët opozitarë u dëbuan me forcë nga pjesëtarët e sigurimit, gjë që edhe shkaktoi krizën politike.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, partitë janë pajtuar që për to të bisedohet pas zgjedhjeve lokale, por, pa saktësuar një kornizë kohore për mbajtjen e tyre.

Një nga pikat e marrëveshjes së arritur ka të bëjë edhe me ndryshimin e Kodit zgjedhor menjëherë pas zgjedhjeve lokale, si dhe garantimin e lirisë së mediave dhe vazhdimin e negociatave ndërmjet Qeverisë dhe Shoqatës së gazetarëve.

Lajmin për arritjen e marrëveshjes, i pari e kumtoi presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov.

“Në takimin e përbashkët ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe në prani të miqve dhe partnerëve tanë evropianë, është arritur marrëveshje. Unë shpreh kënaqësinë time nga sjellja pozitive e liderëve të pushtetit, por edhe të opozitës, të cilët përfundimisht mundësuan kthimin e agjendës evropiane në rend dite në Maqedoni”, u shpreh Ivanov.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Riçard Hovit, i cili edhe publikoi pesë pikat e marrëveshjes, tha se bashkësia ndërkombëtare është e kënaqur me zgjidhjen e krizës dhe fillimin e funksionimit normal të institucioneve në vend.

“Erdhëm këtu me besimin e fortë për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza. Jemi të kënaqur që liderët politikë treguan lidership për kthimin e agjendës evropiane dhe funksionimin normal të institucioneve demokratike. Është vonë, por besoj se nuk edhe aq shumë dhe porosia ime deri te shtetet anëtare të BE-së, është që të kapërcejnë paragjykimet dhe të mbështesin këtë marrëveshje të frytshme”, deklaroi Hovit.

Komisionari Fyle, i cili, që nga paraditja e së premtes kishte biseduar për më shumë se gjashtë orë me liderët politikë, nuk u prononcua për marrëveshjen, por atë e kumtoi në rrjetin social twitter.

“Është arritur marrëveshje për kapërcimin e krizës politike, e cila e rikthen sërish agjendën evropiane si një nga prioritetet kryesore të vendit”, ka shkruar Fyle.

Sa i përket partive shqiptare, me komisionarin Fyle është takuar vetëm kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai, siç bëhet e ditur, ka kumtuar qëndrimin se ishte kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale për shkak të organizimit të diasporës shqiptare për të ardhur për të votuar në komunën e Kërçovës, e cila beson se me një organizim më të mirë, për herë të parë do të drejtohet nga shqiptarët.

Dy partitë tjera opozitare, PDSH dhe RDK, kanë qenë të përmbajtura dhe kundër bojkotit të zgjedhjeve.

Ndryshe, vizita e papritur e Fyles dhe arritja e marrëveshjes ka pasuar mesazhet e ditëve të fundit të përfaqësuesve ndërkombëtarë se vendi rrezikon integrimin, marrjen e raportit pozitiv, e ndoshta mund edhe të humbë rekomandimin për nisjen e bisedimeve nëse nuk zgjidhet kriza politike që ka nisur më 24 dhjetor të vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG