Ndërlidhjet

Obama i quan “arbitrare” shkurtimet


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka paralajmëruar se shkurtimet “arbitrate” të buxhetit do të kushtojnë me vende pune dhe do të dëmtojnë ekonominë amerikane.

“Ne nuk do të duhet të bëjmë shkurtime arbitrare për gjërat, nga të cilat varen bizneset dhe punëtorët, si arsimi, hulumtimet, infrastruktura dhe mbrojtja. Është e panevojshme dhe, në një kohë kur shumë amerikanë kërkojnë punë, është e pafalshme”, ka thënë Obama.

Ai i ka bërë këto komente në Shtëpinë e Bardhë, në ditën kur pritet të hyjnë në fuqi shkurtimet automatike të shpenzimeve.

Duke folur pas takimit me liderët e Kongresit nga të dyja partitë, Obama ka thënë se “dhimbja do të jetë e vërtetë”.

Shkurtimet prej 85 miliardë dollarësh, të njohura si “sekuestrim”, janë pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve.

Administrata Obama kërkon të mbrojë programet, të cilat ndihmojnë të varfrit dhe të moshuarit dhe u kërkojnë të pasurve të paguajnë më shumë taksa, ndërsa republikanët, të cilët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kundërshtojnë rritjen e taksave dhe duan shkurtime më të thella në programet sociale.

Shkurtimet do të jenë 5 për qind në agjencitë e brendshme dhe 8 për qind në Pentagon, nisur nga 1 marsi deri më 1 tetor.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se presidenti Obama do të presë deri në orën 23:59:59 (sipas kohës në Uashington) për të urdhëruar sekuestrimin.
XS
SM
MD
LG