Ndërlidhjet

Klinika e Kirurgjisë, kushte minimale për punë


Pacientët në Kosovë
Pacientët në Kosovë
Me gjthë kushtet mjaft të vështira dhe mungesave të kohëpaskohshme me barna nga lista esenciale, në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vështirësi paraqet edhe numri i vogël i anesteziologëve.

Mehmet Maxhuni, ushtrues detyre i drejtorit në Klinikën Kirurgjike, i tha Radios Evropa e Lirë se edhe mungesa e hapësirës së mjaftueshme për punë u shkakton telashe.

"Ne këtu i kemi dy salla vaskulare, një plastike, një abdominale dhe një torakale. Nuk ka hapësirë të mjaftueshme, sepse kemi numër të madh të kirurgëve. Me anesteziologë nuk po na shkon aq mirë, sepse ka mungesë, por po ia dalim. Sa i përket barnave, nuk ka", tha Maxhuni.

Ai shtoi se me gjithë kërkesat e shumta për t'u përmirësuar kushtet aty, ka rezultuar pa sukses.

"Kërkesa për përmirësim të gjendjes bëjmë gjithmonë, por nuk varet prej meje. Pa u decentralizuar dhe pa u ditur se kush është zot shtëpie, nuk do të ketë përmirësim. Edhe buxheti luan rolin e vet", theksoi Maxhuni.

Ndërkaq, zyrtari për informim në QKUK, Shpend Fazliu, i tha Radios Evropa e Lirë se me buxhetin aktual që ka ky institucion, po mundohen t'i përmirësojnë kushtet aty.

"Qoftë përmes donacioneve, apo investimeve kapitale, jemi munduar ta përmirësojmë infrastrukturën atje. Janë renovuar nyjat sanitare, por ende mbetet për t'u bërë", pohon Fazliu.

Derisa sipas Mehmet Maxhunit, aparatura e cila kohë pas kohe nuk punon, është problem më vete, me të cilin kjo klinikë ballafaqohet. Sipas tij, diagnostikimi pa to nuk mund të bëhet.

"Diagnostikimi, laboratori, po na dalin jashtë funksioni faza-faza dhe na shkaktojnë probleme. Qeveria duhet ta ketë prioritet shëndetësinë, në mënyrë që të bëhen përmirësime në shëndetësi, në përgjithësi", sugjeron Maxhuni.

E, në anën tjetër, pacientët ankohen për cilësinë e shërbimeve brenda këtij institucioni. Ata thonë se edhe të gjitha barnat duhet blerë vetë.
Unë jam shumë e zhgënjyer, sepse të gjitha barnat, duke filluar nga shiringat e gjithçka tjetër duhet t'i blej vetë.

"Unë jam një paciente e rregullt në QKUK, sepse vuaj nga një sëmundje. Unë jam shumë e zhgënjyer, sepse të gjitha barnat, duke filluar nga shiringat e gjithçka tjetër duhet t'i blej vetë. Nëse fillon sigurimi shëndetësor, do të ishte shumë mirë, por ndryshe gjendja është shumë e keqe", u shpreh pacientja Sebahate Muja.

Ndërsa, sipas Fazliut, mungesa e anesteziologëve vjen si pasojë e asaj se shumë nga ta kanë lëshuar punën brenda QKUK-së për t'u inkuadruar në sistemin privat, për shkak të pagesës dhe kushteve më të mira.

"Në kuadër të QKUK-së ka mungesë të anesteziologëve dhe kjo lëmi mbetet ende deficitare, pavarësisht faktit që kemi pranuar 5 anesteziologë të rinj, mungesa vazhdon të ndihet ende, pasi që numri i operacioneve që vazhdojnë të kryhet në Klinikën Kirurgjike është shumë i madh. Po ashtu, një numër i madh i anesteziologëve e kanë lëshuar punën në QKUK dhe janë angazhuar në spitale private për shkak të kushteve më të mira dhe pagesave", shpjegon Fazliu.

Numri i mjekëve të punësuar në Klinikën e Kirurgjisë, është rreth 60 mjekë specialistë.
XS
SM
MD
LG