Ndërlidhjet

FOL: Vendime pak, korrupsion shumë


Logo e Lëvizjes "Fol"
Logo e Lëvizjes "Fol"
Përfaqësues të Lëvizjes FOL, gjatë publikimit të raportit vjetor “Monitoruesi i Korrupsionit 2012”, i cili paraqet të gjitha aktivitetet e Institucioneve Përgjegjëse për Luftimin dhe Parandalimin e Korrupsionit për periudhën Janar-Dhjetor 2012, kanë thënë se “lufta kundër korrupsionit jo vetëm që ende është e bazuar në premtime publike pa asnjë mbështetje në veprime praktike ajo ka marrë edhe një tjetër dimension duke e konsideruar luftën dhe politikat anti-korrupsion vetëm si kriter dhe presion i bashkësisë ndërkombëtare duke mos marrë parasysh rrethanat dhe nevojat kontekstuale”.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, Qeveria e Kosovës përgjatë vitit 2012 ka nxjerrë vetëm 5 vendime në luftën kundër korrupsionit, ndërsa gjykatat e rregullta komunale të Kosovës kanë trashëguar nga vitet paraprake gjithsej 197 lëndë. Po këto gjykata gjatë gjithë vitit 2012 kanë pranuar në punë gjithsej 169 lëndë.

Ndërkaq FOL thotë se sipas statistikave të prokurorisë, të ndërlidhura me fushën anti-korrupsion, rezulton që ato kanë trashëguar nga vitet e mëparshme gjithsej 802 lëndë. Gjatë po kësaj periudhe 1 vjeçare janë pranuar 376 lëndë të reja. Janë ngritur 140 propozim-akuza dhe 132 aktakuza.

Kurse sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), e cila vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, rezulton që gjatë viti 2012 janë kryer hetime ndaj 157 personave, 56 janë arrestuar, 129 janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur, 1 rast është dërguar në prokurori me N/N dhe 19 raste të tjera janë dërguar me raport të Prokurorit.

Dhe Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) gjatë vitit 2012 sipas këtij raporti del se ka qenë kryesisht e fokusuar në tre aktivitete në luftë kundër korrupsionit, raporton FOL.
XS
SM
MD
LG