Ndërlidhjet

VOX

Të zhgënjyer nga pritjet


Obelisku i Pavarësisë "NEWBORN", në pesëvjetorin e shpalljes së Kosovës shtet.

Obelisku i Pavarësisë "NEWBORN", në pesëvjetorin e shpalljes së Kosovës shtet.

Punësim, shkollim më cilësor, liberalizimi i vizave janë vetëm disa nga dëshirat e të rinjve kosovarë, të cilët kishin pritur se do të realizoheshin gjatë këtyre pesë vjetëve të shtetësisë së Kosovës.

Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, ata shprehen të zhgënjyer nga mospërmbushja e pritjeve që ata i kanë pasur. Nuk fshehin faktin se kanë shpresuar që pas pavarësimit të vendit, do të kishin mundësi më të mëdha për të përmirësuar jetën e tyre, por, siç thonë shumë nga ta, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.



Valon Mustafa, 26 vjeç, nga Prishtina, thotë se pritjet që ai ka pasur, nuk janë përmbushur. Rruga, në të cilën është duke ecur Kosova, thotë ai, nuk është rruga më e mirë që do të duhej të bënte një shtet i ri.

“Pritjet kanë qenë më të mëdha sesa që kemi arritur. Punësimi është një problem i madh që paraqitet në Kosovë. Në institucionet publike nuk mund të punësohesh nëse nuk je anëtar i ndonjë partie, apo nuk ke mik dikë që udhëheq një ministri apo ndonjë institucion tjetër. Nuk merren parasysh njohuritë, gjithçka ka të bëjë me nepotizëm”, shprehet Valoni.

Krerët e institucioneve të Kosovës kishin premtuar në atë kohë se zhvillimi ekonomik që do mundësonte krijimin e vendeve të reja të punës, do të ishte prioritet në Kosovë.

Nisur nga këto premtime të politikanëve, edhe Irfan Ashlani nga Mitrovica kishte pritur se papunësia nuk do të mbetej problem kryesor edhe pas pesë vjetësh të pavarësisë.

“Krijimi i vendeve të reja të punës kam pritur se do të jetë më i lartë. Ndoshta ka filluar të ketë ndryshime në të mirë edhe në këtë fushë, por jo aq shumë sa është premtuar dhe sa kanë qenë pritjet e të rinjve”, thotë Irfani.

Më pak zhgënjyes nga pritjet që i ka pasur para pesë vjetëve shprehet Bujar Mehmeti, student i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se në përgjithësi në të gjitha aspektet Kosova qëndron më mirë se para pesë vjetësh.

“Mirë, nuk është keq. Ka nevojë për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, por nëse bëhet një krahasim me sot dhe para pesë vjetëve, kanë ndryshuar gjërat për të mirë”, shprehet Bujari.

Ngjashëm mendon edhe Almedina Uka:

“Ndoshta nuk ka pasur ndryshime të shumta, por krahasuar me gjendjen para pesë vjetësh, ka pasur përmirësim dhe disa gjëra janë rregulluar”.

Liberalizmi i vizave për kosovarët nga të rinjtë është pritur, po ashtu, shumë se mund të ndodhë gjatë kësaj periudhe, si shtet i pavarur dhe sovran.

Vesa Njaziu thotë se gjatë këtyre pesë vjetëve të rinjtë kanë arritur të udhëtojnë jashtë vendit, pasi që ishin krijuar disa mundësi, por çdo herë duke pasur nevojë për viza.

“Ndoshta gjatë kësaj kohe kosovarët kanë filluar të lëvizin më shumë dhe të vizitojnë vende të ndryshme të botës, por edhe kjo nuk ka qenë çdo herë e mundur, pasi që ende nuk kemi liberalizmin e vizave që kemi pritur se mund të ndodhë”, thotë Vesa.
Një problem tjetër në Kosova, siç thonë të rinjtë, është arsimimi i dobët.

Kosova për vite të tëra është kritikuar për sistem të dobët të arsimit, si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare. Ekspertët e arsimit, madje, kishin thënë se cilësia e dobët në arsim po rrezikon edhe të ardhmen e Kosovës.

Një nga pritjet e të rinjve, gjithashtu, kishte qenë edhe përmirësimi i cilësisë në arsim, pasi që siç thotë Anita Sinani, edhe pas diplomimit nuk janë të përgatitur aq mirë për t'u punësuar diku.

“Edhe pas përfundimit të studimeve, ne nuk po arrijmë të marrim njohuri aq sa duhet. Për shembull, ne po e kryejmë një fakultet, por nga aty nuk po i marrim të gjitha njohurit e duhura dhe të avancuara. Ky është një problem edhe për t'u punësuar diku”, bën të ditur Anita.

Ndërkaq, për studenten e arkitekturës, Besa Gashi, problemi më i madh në Kosovë janë ndërtimet pa plane urbanistike.

Sipas saj, ndërtimet që kanë ndodhur gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit në kryeqytet e kanë bërë të vështirë jetesën. Ajo thotë se kishte pritur që sa paku pas pavarësisë do të ndalohej rreptësisht ndërtimi pa plane urbanistike, por, siç shprehet ajo, ndodhi e kundërta.

“Si studente e arkitekturës, më së shumti më pengojnë ndërtimet që janë bërë. Kam pritur më shumë dhe kam menduar se do të ketë ndërtime, të cilat do të ishin me plane të duhura dhe jo të bëhen ndërtime vend e pa vend, duke ngulfatur qytetin. Është një problem që Kosovën do ta përcjellë me vjet të tëra, pasi që tani ato ndërtime janë bërë dhe nuk mund të prishen brenda ditës”, thekson Besa.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG