Ndërlidhjet

Korrupsioni, kërcënim serioz për sundimin e ligjit


Ilustrim
Ilustrim
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy shtyllat kryesore që po e pengojnë procesin e shpejtë dhe të drejtë të liberalizimit të vizave për kosovarët. Viti 2012 është karakterizuar me skandale nga më të rëndat, siç ishte ai me pasaportat biometrike, ku zyrtarët e lartë publik u shndërruan në protagonistë kryesorë, thuhet në raportin e Lëvizjes “FOL”, “Monitoruesi i Korrupsionit”.

Sipas drejtuesve të kësaj organizate, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të paraqesin kërcënim serioz për sundimin e ligjit në Kosovës.

Fidan Kalaja, nga kjo lëvizje, theksoi se lufta kundër korrupsionit, jo vetëm që ende është e bazuar në premtime publike pa asnjë mbështetje në veprime praktike, po ajo ka marrë edhe një tjetër dimension, duke e konsideruar luftën dhe politikat anti-korrupsion, vetëm si kriter dhe presion i bashkësisë ndërkombëtare.

“Korrupsioni është shtrirë në të gjitha fushat e sistemit qeverisës në Kosovë. Dhe, kjo shtrirje e gjerë dhe niveli i lartë i korrupsionit që ka përfshirë institucionet, ka bërë që Kosova të ketë ngecje në shumë fusha, si në atë ekonomike, në fushën e mirëqenies së qytetarëve, e madje ka bërë që Kosova të ketë ngecje edhe në proceset i integrimit në BE”, tha Kalaja.

Ai shtoi se edhe misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, në drejtim të luftimit të korrupsionit, nuk ka qenë efektiv.

Edhe Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen "FOL", deklaroi se institucionet përgjegjëse për luftimin e korrupsionin, nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme dhe të nevojshme për ta reduktuar nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet publike.

“Shqetësuese është se institucionet publike, të cilat janë përgjegjëse për luftimin e këtij fenomeni, nuk janë duke ndërmarrë masa të nevojshme për ta reduktuar korrupsionin në vend. Nëse e marrin Qeverinë e Kosovës, nga 404 vendime sa i ka miratuar gjatë vitit 2012, vetëm 5 sosh kanë qenë për luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Mazreku.

Në raport thuhet se gjatë vitit 2012 Kosova ka shënuar përparim të pjesshëm në përmirësimi e kuadrit ligjor kundër korrupsioni, por në të njëjtën kohë ka vërejtur edhe një regres në përpilimin e dokumenteve strategjike kundër korrupsion, si dhe rregullimit të fushës së konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.

Hetimi i mangët i rasteve të korrupsionit është njëri ndër problemet më të theksuara të mungesës së luftës kundër korrupsionit. Organet e ndjekjes, me gjithë faktin e një organizimi të brendshëm institucional, caktimi i koordinatorëve anti -korrupsion në prokuroritë e qarkut, nuk kanë arritur të kenë ndonjë efekt të theksuar në luftimin e korrupsionit.

Mazreku, në konferencën për media, tha se në punën e sistemit të drejtësie për zgjidhjen e lëndëve, është duke ndikuar politika.

“Prokurorët dhe gjyqtarët duke ditur fuqinë politike që kanë disa nga udhëheqësit politikë në vend, kanë frikë se në rast të ngritjes së akteve akuzuese apo edhe proceseve gjyqësore, do të mund të pësonin”, theksoi Mazreku, duke e mbështetur këtë deklaratë edhe në Raportin e fizibilitetit për Kosovën.

Hasan Preteni
Hasan Preteni
Edhe Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se korrupsioni në vend nuk po gjykohet.

"Mbetet problematike fusha e luftimit të korrupsionit, që jo vetëm të flitet për korrupsion, po të fillohet me të vërtetë të përfundojnë disa raste. Jo vetëm të fillojnë hetime me pompozitet, hetime spektakulare. Jemi dëshmitarë se nuk po ka përfundime të këtyre rasteve, shumica e hetimeve po përfundojnë me mbyllje të hetimeve jo me ngritje të aktakuzave”, tha Preteni.

Strategjia dhe Plani i Veprimit Kundër Korrupsion, por edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë, nuk pritet të japin ndonjë efekt pozitiv të prekshëm, thuhet në raportin e "FOL"-it .

Sipas "FOL"-it, në një aspekt, kjo tregon që edhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë shumë e vendosur rreth kualitetit të Strategjisë dhe Ligjit të konfiskimit pasurisë, por vetëm në aprovimin e tyre.
XS
SM
MD
LG