Ndërlidhjet

Kosovë - Serbi: Pa marrëveshje, por me përparim

  • RFE /RL

Nga takimi i së hënës në Bruksel...

Nga takimi i së hënës në Bruksel...

Raundi i gjashtë i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka përfunduar pa marrëveshje por, palët kanë theksuar se është arritur përparim.

Kryeministri Daçiq dhe kryeministri Thaçi u takuan sot me mua në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve në mes të dy palëve. Ne kemi bërë përparim të mirë. Nga tash e deri në raundin e ardhshëm, më 20 mars, do të ketë punë për t’u kryer”, ka thënë përmes një deklarate për media, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cila po i ndërmjetëson bisedimet.

Në anën tjetër, të dy kryeministrat e kanë quajtur takimin konstruktiv, derisa kanë mbrojtur qëndrimet e tyre në lidhje me çështjen më të ndjeshme që është diskutuar në këtë takim - atë të veriut të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka marrë pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë në veriun e Kosovës.

Ka pasur një pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë, si dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri”, është shprehur Thaçi, i cili ka thënë se është arritur përparim në lidhje me shtrirjen e sundimit të ligjit në veri.

Është bërë progres në kuptimin e asaj që të kemi rend dhe ligj edhe në veri, të kemi rend demokratik, të kemi zgjedhje të lira, zgjedhje ku vetë qytetarët mund të zgjedhin përfaqësuesit legjitimë", ka thënë kryeministri kosovar.

Thaçi ka njoftuar se në takimin e së hënës është diskutuar edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, temë kjo që ka ngjallur debat të nxehtë dhe në Kosovë. Kryeministri kosovar ka hequr dilemat se asociacioni do të ketë mandat legjislativ apo ekzekutiv.

"Natyrisht që është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjithmonë sipas ligjeve të Kosovës, por në asnjë rrethanë me ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv, apo Ahtisaari plus. Përkundrazi, gjithmonë gjithçka do të mbetet në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane”, ka deklaruar Thaçi.

Për dallimet e palëve në lidhje me Asociacionin e komunave serbe, ka folur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se as pas takimit nuk është arritur zgjidhje e plotë për çështjet e hapura.

Kryeministri serb ka theksuar se ndër shumë tema që janë shqyrtuar, kryesorja ka qenë ajo e Asociacionit të komunave serbe.

Me këtë rast ai ka potencuar dallimet që kanë palët.

Serbia konsideron se ky Asociacion duhet të ketë më shumë përgjegjësi sesa ato që është e gatshme Prishtina t’i pranojë”, ka thënë Daçiq.

Ai e ka parë krijimin e Asociacionit të komunave serbe, edhe si një zgjidhje për zgjidhjen e problemit të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Ekziston mundësia për marrëveshje, natyrisht për aq sa pala tjetër të ketë, para së gjithash, gatishmëri politike për kompromis”, është shprehur Daçiq, duke i quajtur bisedimet konstruktive.

Ai ka thënë se politikisht dallon me Thaçin, por është arritur përparim për organet e Asociacionit.

Daçiq është shprehur optimist se në javët e ardhshme do të ketë përparim dhe kompromis eventual.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve është caktuar më 20 mars.

Prishtina zyrtare kërkon zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në veri dhe krijimin e një Asociacioni të komunave, pa fuqi ekzekutive, por, në anën tjetër, Beogradi zyrtar kërkon një formë kompromisi kur bëhet fjalë për pushtetin ekzekutiv të këtij asociacioni.

Takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, pasoi edhe një debat të vazhdueshëm në Kosovë e Serbi, pikërisht për çështjen e këtij asociacioni.

Në Prishtinë, një pjesë e opozitës dhe e shoqërisë civile e kanë vlerësuar këtë nismë si "pengesë për integrimin e komunitetit serb", kurse partitë në pushtet e kanë cilësuar asociacionin si "organizatë joqeveritare", kur bëhet fjalë për fuqitë ekzekutive të tij.

Përparimet në dialog, Bashkimi Evropian u ka vënë si kushte të dyja palëve, nëse duan që të avancojnë tutje në proceset integruese evropiane. (a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG