Ndërlidhjet

Rasti "Monstra": Policia e Kosovës arreston dy shtetas të Maqedonisë


Alil Demiri dhe Afrim Ismajloviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismajloviq
Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Maqedonisë, të kërkuar për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovcit në afërsi të Shkupit.

Mësohet se bëhet fjalë për Afrim Ismajloviq dhe Alil Demiri, të cilët ishin në arrati gati një vit, prej se ka ndodhur krimi në këtë qendër.

Zëdhënësi i policisë Arbër Beka, tha për Radion Evropa e Lirë, se të dyshuarit janë prangosur të dielën mbrëma në lagjen Bregu i Diellit të Prishtinës.

Sipas tij, që mbrëmë është bërë konfirmimi i identitetit të të dyshuarve, bazuar në të dhënat e specifikuara në flet-arrestin ndërkombëtar, që kanë lëshuar autoritetet maqedonase.

“Mbrëmë [e dielë] rreth orës 19h në Prishtinë, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët kanë qenë të kërkuar nga Interpoli. Raportet që na kanë arritur, nuk japin detaje, se për çfarë vepra dyshohen të kërkuarit me flet-arrest ndërkombëtar,” tha Beka.

Ministrja e punëve të brendshme në Maqedoni, Gordana Jankullovska, ka njoftuar për arrestimin e bërë, përmes profilit të saj në rrjetin social Facebook.

“Kolegu Bajram Rexhepi në bisedën telefonike më njoftoi se policia e Kosovës dje ka arrestuar dy persona, të cilët i përgjigjen përshkrimit dhe para policisë janë prezantuar si Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq".

"Ata dyshohen për vrasjen në liqenin e Smillkovës dhe pas vrasjes së tmerrshme ishin në arrati, dhe ata kërkoheshin edhe nga Interpoli. Duke marrë parasysh faktin se personat nuk posedojnë dokumente për vërtetimin e identitetit, do të bëhen të gjitha kontrollet e domosdoshme, dhe pas indetifikimit të plotë, gjatë ditës së nesërme [sot v.j.]do të dalim me infromacione zyrtare. Në bashkëpunim me autoritetet kosovare do të bëjmë gjithçka të mundur për ekstradimin e tyre në Maqedoni.”


Katër të rinj dhe një 45 vjeçar janë ekzekutuar me armë automatike në Liqenin Smilkovcë, që shtrihet në afërsi të Shkupit më 11 prill.

Ky krim, i cilësuar si rasti “Monstra” pati shkaktuar tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, meqë vepra ishte klasifikuar si terroriste nga autoritetet e atjeshme.

Mbi 20 shqiptarë, ishin arrestuar në kohën e bastisjeve për gjetjen e të dyshuarve. Shumica prej tyre, besohet se ishin pjesë e një grupi fetar, që kishin një lloj lidhje me vrasjen e pesëfishtë.

Por, në fund, autoritetet ngritën aktakuzë për pesë të dyshuar, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Rami Sejdiu, Fejzi Haziri dhe Alil Demiri, të gjithë nga Shkupi.

Tre nga të akuzuarit janë arrestuar gjatë aksionit policor “Monstra", ndërsa dy tjerët Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, ishin arratisur.

Ministria Maqedonase e Punëve të Brendshme, qysh mbrëmë ka lajmëruar mediet lokale, se personat e arrestuar në Prishtinë, i përputhen të përshkrimit të dy shqiptarëve të kërkuar për terrorizëm në këtë shtet.

Gjykimi në rasti Monstrum ka nisur më 20 dhjetor të vitit të kaluar, ku të pandehurit ngarkohem me veprat vrasje me paramendim, ndihmë në vrasje dhe terrorizëm.

Demiri dhe Ismaili, janë gjykuar në mungesë. (f.aliu).
XS
SM
MD
LG