Ndërlidhjet

Transformimi i strukturave paralele në veri të Kosovës dhe vendosja e një normaliteti në atë pjesë, shihen si temat boshte të bisedimeve midis kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Dialogu që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, sipas analistëve politikë, mes tjerash parasheh që Serbia t’i largojë strukturat e sigurisë, përderisa strukturat tjera të serbëve lokalë, të vendosen në kuadër të institucioneve dhe ligjeve të Kosovës.

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti thotë se në tryezat e Bashkimit Evropian do të përcaktohen edhe modelet dhe format e këtij transformimi.

Ai pret që si rezultat i dialogut Prishtinë – Beograd, të dalë edhe marrëveshja që organet aktuale të serbëve në veri, të cilat për Prishtinën zyrtare cilësohen si ilegale, të integrohen në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Komunat paralele do të transformohen, gjykatësit dhe gjykatat do të transformohen nën juridiksionin e Kosovës dhe një pjesë e policisë eventualisht gradualisht do të rekrutohet ne Policinë e Kosovës. Ajo që e dimë deri më tani është se nuk do të ndodhë menjëherë implementimi, por do të pajtohen dy kryeministrat për një kornizë eventuale e pastaj grupet punuese do të përcaktojnë transformimin”, thotë Rashiti.

Në këtë proces transformimi të strukturave në veri, për Naim Rashitin më sfiduese do të jetë çështja e policisë, pastaj e gjykatave, zgjidhja e fatit të afër 300 pjesëtarëve të ashtuquajturës mbrojtje civile e deri te zgjidhja e çështjes së energjisë dhe të ngjashme.

Që të gjitha, aktualisht funksionojnë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Pas fazës së transformimit, Rashiti thotë se parashihet edhe procesi i zgjedhjeve në veri, por ai nuk është shumë optimist që ky proces do të mund të përgatitet këtë vjeshtë, siç pretendojnë autoritetet në Prishtinë.

Krejt në fund, do të pasojë edhe formimi i asociacionit të komunave serbe, pikë kjo për të cilën në Prishtinë ka shumë mëdyshje nëse me këtë organ tejkalohet Plani i Ahtisaarit dhe veri do të rrëshqiste drejt nj autonomie territoriale.

Rashiti thotë se tash për tash po shihet që veriu mund të ketë një status më të avansuar vetëqeverisës, por nuk mund të parashihet se do të ketë ndonjë status të veçantë autonom.

Ne si Grup Ndërkombëtar i Krizave kemi përkrahur idenë që një status autonom apo status special të në këmbim të njohjes me Serbinë të realizohet që me kohë, por dialogu dhe modeli i ndërmjetësimit të BE-së nuk ka shkuar në atë drejtim".

"Në këtë fazë nuk shihet që veriu do të transformohet në institucione autonomie vetëqeverisëse në kuadër të Kosovës, por natyrisht që do ta ketë një status më të avancuar sesa pjesa tjetër e Kosovës apo komunat tjera serbe në jug
”, thekson Rashiti.

Në anën tjetër, analisti dhe bashkëpunëtori i shkencave shoqërore në Beograd, Ognjen Pribiçeviq thotë se dialogu ka mbërritur në qorrsokak dhe sipas tij, vështirë është ë pritet ndonjë rezultat.

Kërkesat e Beogradit nuk janë asgjë më shumë nga ajo që vetëm ekziston në Evropë. Fjala është opër një shkallë të lartë të autonomisë e cila zbatohet kur janë në pyetje gjermanët në Belgjikë, pastaj ajo e Tirolit Jugor, Katalonisë e tjera”, thotë Pribiçeviq.

Ai nuk sheh arsye se përse Evropa do të kundërshtonte propozimet për një tip të tillë të autonomisë edhe për serbët e Kosovës.

Bazuar në rrjedhën e dialogut, ai nuk pret përparime shumë të mëdha as nga raundi aktual që po mbahet në Bruksel.

Prishtina është e vetëdijshme që për Beogradin data e negociatave për anëtarësim në BE është e domosdoshme dhe se për këtë qëllim, Beogradi do të jetë në gjendje që të bëj shumë lëshime për të fituar këtë datë”, thekson analisti, Pribiçeviq.

Sidoqoftë, ai beson se të gjitha opsionet mbeten të hapura dhe se dialogu nuk pritet të përmbylle shumë shpejt temat që po diskutohen.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në kuadër të takimeve të fundit janë në kërkim të një zgjidhje për vendosjen e kornizave të normalitetit në pjesën veriore të Kosovës, ku Beogradi me vite ka ngritur struktura paralele të pushtetit të cilat kanë pamundësuar shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në atë pjesë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG