Ndërlidhjet

Rashiti: Veriu me status më të avancuar sesa komunat në jug


Naim Rashiti

Naim Rashiti


“Në këtë fazë nuk shihet që veriu do të transformohet në institucione autonomie vetëqeverisëse në kuadër të Kosovës, por natyrisht që do ta ketë një status më të avancuar sesa pjesa tjetër e Kosovës apo komunat tjera serbe në jug”, thotë Naim Rashiti, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Prishtina dhe Beogradi po i diskutojnë modalitetet e transformimit të strukturave paralele serbe në veri në kuadër të institucioneve dhe ligjeve të Kosovës. Në bazë të cilave modalitete e shihni si të mundshëm realizimin e këtij transformimi?

NAIM RASHITI
Tashmë dihet qartë që në tryezat e BE-së do të flitet më shumë për transformimin e institucioneve në veri sesa për largimin e tyre. Një pjesë do të largohen, por shumica tjetër do të transformohen. Komunat paralele do të transformohen, gjykatësit dhe gjykatat do të transformohen nën juridiksionin e Kosovës dhe një pjesë e policisë eventualisht gradualisht do të rekrutohet ne Policinë e Kosovës.

Modeli i transformimit pritet të vendoset në dialog dhe ekipe punuese të cilat dialogu do t’i përcaktoj për implementim. Ajo që e dimë deri më tani është se nuk do të ndodhë menjëherë implementimi, por do të pajtohen dy kryeministrat për një kornizë eventuale e pastaj grupet punuese do të përcaktojnë transformimin.

Me siguri që komunat si institucione të shërbimeve publike do të transformohen ashtu siç janë nën pagat e sistemit të Ministrisë të Shërbimeve Publike të Kosovës, ndërsa për fatin e kryetarëve dhe të zgjedhurve vendoset në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale të cilat do të mbahen nën juridiksionin e Kosovës me ndihëm e bashkësisë ndërkombëtare. Se kur do të mbahen zgjedhjet nuk dihet. Është vështirë të thuhet.

Pretendimet janë që zgjedhjet të mbahen sivjet. Por, tani për tani gjasat duken jo shumë të mira që ato të mbahen sivjet. Ajo që është me rëndësi është që për periudhën kur të përcaktohet mbajtja e zgjedhjeve, të dyja qeveritë të pajtohen me modalitetet e transformimit të institucioneve dhe të bëjnë të mundur pjesëmarrjen e kënaqshme të popullatës në këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha e shihni si më sfiduese këtë transformim?

NAIM RASHITI
Sfiduese më shumë do të jetë policia. Gjyqësori dhe gjykatësit, që punojnë në gjykatat paralele serbe edhe ashtu nuk janë në numër të madh. Do të ketë një numër prej 20 – 30 gjykatësve që do të rekrutohen nga institucionet e Kosovës dhe ata do të punojnë në institucionet e Kosovës. Sfidë tjetër mbetet zbatimi i vendimeve të gjykatave serbe të cilat janë bërë deri më tash.

Ka një mungesë të madhe të zbatimit të tyre në veri. Sfiduese mbetet çështja e 300 – 400 njerëzve që janë të përfshirë në mbrojtjen civile si dhe institucionet tjera të sigurisë. Ka një rezistencë të madhe të serbëve për të transformuar asetet e rrjetit energjik në atë të Kosovës (KEK) sikurse edhe e punësimit të punëtorëve në KEK. Si dhe mbetet sfiduese bindja e qytetarëve serb që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
E shihni këtë si tranzicion, zgjidhje përfundimtare apo vetëm kalim në një fazë tjetër?

NAIM RASHITI
Në momente të caktuara disa pjesëtar të komunitetit serb këtë e shohin si një fazë transitore për diçka tjetër. Por jo. Dy qeveritë po mundohen që me çdo kusht të përcaktojnë kornizën me të cilën serbët e veriut do të jetojnë.

Kjo kornizë që do të përcaktohet tani do të jetë relativisht afatgjate. Do të provohet që në kuadër të kësaj kornize të pajtohen në lidhje me kompetencat e komunave serbe në veri, funksionimin e asamblesë së komunave serbe në veri apo edhe këshillit, të cilat do të jenë afatgjate.

RADIO EVROPA E LIRË
Konsideroni se do të kenë apo jo institucionet në veri kompetenca legjislative e ekzekutive si një temë që aq shumë ka hapur debat në Prishtinë?

NAIM RASHITI
Është shumë vështirë të thuhet. Sipas Ahtisaarit komunat me shumicë serbe krijojnë partneritetin e komunave dhe partneriteti i tyre mund të krijoj një trup vendimmarrës për shumë fusha të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e komunave të përbërë nga përzgjedhurit komunal. Por, Ahtisaari kërkon që këto vendime të këshillit dhe asamblesë të ekzekutohen përmes komunave dhe nuk jep kompetenca ekzekutive në ato organe.

Në detaje, palët nuk janë edhe shumë larg. Beogradi kërkon që kjo asamble të jetë e zgjedhur në mënyrë direkte e në veçanti insiston që këshilli të ketë kompetenca ekzekutive në disa fusha, duke përfshi policinë dhe gjykatat. Është vështirë të gjendet një kompromis por ajo që duket tani është që Prishtina nuk e përballon dot zgjedhjen e një asambleje të komunave përmes zgjedhjeve direkte dhe nuk e përballon dot që këto organe të kenë kompetenca ekzekutive në fushat e policisë dhe gjyqësorit.

Kurse sa u përket fushave tjera, si arsimi, shëndetësia e tjera, ndoshta mund të gjinden modalitetet. Ajo që e ka bërë më të vështirë këtë dialog është faza e ngutshme për të marrë vendime që duhet të merren. Po të kishte qenë kjo e paketuar në formën që të ketë një normalizim shumë dimensional midis Kosovës dhe Serbisë deri te anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara kishte me qenë shumë më e lehtë arritja e një kompromisi sa i përket veriut dhe funksionimit të këshillit të komunave serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka gjasa atëherë që veriu i Kosovës të rrëshqas kah një status autonom?

NAIM RASHITI
Është shumë vështirë tash të spekulohet. Ne si Grup Ndërkombëtar i Krizave kemi përkrahur idenë që një status autonom apo status special të në këmbim të njohjes me Serbinë të realizohet që me kohë, por dialogu dhe modeli i ndërmjetësimit të BE-së nuk ka shkuar në atë drejtim.

Në këtë fazë ky dialog ka shkuar në drejtim të rregullimit të disa çështjeve kyçe që kanë të bëjnë me funksionimin e kufijve dhe vendosjen e juridiksionit të ndarë midis dy shteteve në kufi dhe rregullimin e çështjes së veriut, sidomos në sferat e sigurisë. Për shembull BE-ja nuk insiston shumë që të zgjidh çështjen e komunave serbe tash për tash.

Duke u bazuar në rekomandimet apo konkluzat e Këshillit të BE-së, ata kërkojnë që transformimi i institucioneve të sigurisë të jetë në atë shkallë ku nuk do të ketë kthim prapa. Dy qeveritë kanë parë në interes që në kuadër të këtij dialogu të rregullohet fati i komunave dhe BE-ja ka pranuar këtë meqë të dyja qeveritë e duan këtë dhe kanë pranuar të ndihmojnë e gjejnë një modul që rregullon statusin e tyre.

Në këtë fazë nuk shihet që veriu do të transformohet në institucione autonomie vetëqeverisëse në kuadër të Kosovës, por natyrisht që do ta ketë një status më të avancuar sesa pjesa tjetër e Kosovës apo komunat tjera serbe në jug.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG