Ndërlidhjet

Ligjet nga pako e Ahtisarit, pa zbatim të plotë në terren


Ilustrim

Ilustrim

Më shumë se 50 ligje të cilat kanë dalë nga pakoja e Ahtisarti, janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë të përshpejtuar.

Por, sa po gjejnë zbatim në praktike këto ligje?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se këto ligje mund të zbatohen krejtësisht, por që nevojitet nxjerrja e disa rregulloreve.

Deputeti i Behar Selimi nga PDK-ja, anëtar i Komisionit për Legjislacion, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka përpjekje për zbatimin e këtyre ligjeve, por se vështirësi janë evidente.

Unë veshtirësitë i konsideroj të karakterit teknik, administrativ, por edhe vonesa në nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pra të rregulloreve të udhëzimeve që burojnë nga legjislacioni. Në anën tjetër është ajo që ende nuk e kemi krijuar një përvojë të mirë të zbatimit me çdo kusht të ligjeve”, tha Selimi.

Kryetari i komisionin për legjislacion, Arben Gashi mendon ndryshe.

Sipas tij, ligjet të cilat i takojnë pakos së presidentit Ahtisari e që janë miratuar në mënyrë të shpejt janë diskriminues për shumicën dhe këtu, sipas tij burojnë sfidat e zbatimit të tyre.

Ka plot ligje që nuk gjejnë zbatueshmëri pikërisht për arsyen se janë të panevojshme. Janë të panevojshme sepse kanë diskriminim pozitiv po një pjese e madhe prej tyre janë zbatuar. Ka mbetur Ligji për Prizrenin dhe Ligji për Hoçën e Madhe që kanë pak ma shumë probleme, ndërsa ligjet e tjera janë në zbatim, megjithëse komplet si pako është pako diskriminuese për shumicën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Gashi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë deklaruar se miratimi dhe zbatimi i këtyre ligjeve ka anët pozitive për sa i takon plotësimit të numrit të ligjeve që kërkohen nga Komisioni Evropian, por sfidë, mbetet zbatimi i tyre.

Ata konsiderojnë se miratimi i shpejtë i një numri të ligjeve ka sjellë seriozisht probleme në implementimin e tyre, sepse miratimi i ligjeve nuk nënkupton asgjë nëse ato nuk zbatohen.

Deputeti Selimi konsideron se institucionet të cilat kanë për obligim mbikëqyrjen zbatimit të ligjeve nuk po bëjnë sa duhet të ketë rrafsh.

Mendoj se nuk po i mbikëqyrim mirë institucionet, kompetente për zbatim. Pra, po kalojnë institucionet e zbatimit të këtyre ligjeve pa ndonjë përgjegjësi, pa ndonjë ndëshkim. Do të thosha që edhe kjo është një nga pengesat në zbatimin e shpjet dhe qind për qind të ligjeve”, tha Selimi.

Ndryshe, ekspertet ligjor thonë se në Kosovë problemi i mos zbatimit të ligjeve qendrore në mungesën e vullnetit për t’i zbatuar ligjet

Avokati Korab Sejdiu thekson se kjo mungesë e vullnetit për respektim të ligjeve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e kërkimit të përgjegjësisë nga personat, të cilët nuk i zbatojnë ligjet.

“Duhet të ndërtohet sistem i zbatimit të ligjeve, i cili ndëshkon mungesën e vullnetit apo mungesën e kryerjes së punës prej secilit prej neve që jemi pjesë e sistemit të drejtësisë".

"Pikërisht kjo ka të bëjë me rezultatin përfundimtar që, aktualisht, është duke dëmtuar Kosovën jashtë mase, sidomos në sundim të ligjit, e ajo është që njerëzit nuk po dëshirojnë t’i zbatojnë ligjet dhe rrjedhimisht ka pasoja të mëdha edhe për shoqërinë tonë, edhe për ata që shkelin ligjin”, shprehet Sejdiu.

Autoritetet kosovare thonë se forcimi i sundimit të ligjit është prioritet dhe angazhim i të gjitha institucioneve të vendit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG