Ndërlidhjet

logo-print

Venezuela në zi për Chavezin

  • RFE /RL

Venezuela ka shpallur shtatë ditë zie me rastin e vdekjes së presidentit Hugo Chavez.

Presidenti 58-vjeçar ka vdekur të martën pas një beteje dyvjeçare me kancerin. Ai ka udhëhequr Venezuelën për 14 vjet.

Nënpresidenti Nicolas Maduro, pasardhësi i tij i zgjedhur, është zotuar se do të ruajë trashëgiminë e Chavezit.

Do të na mungojë deri në ditën e fundit të jetës sonë. Populli ynë le ta dijë se trashëgimia demokratike, revolucionare dhe socialiste e komandantit tonë do të ruhet me vendosmëri dhe besnikëri absolute”, ka thënë Maduro.

Chavez ka qenë njëri nga liderët më të zëshëm majtistë të Amerikës Latine dhe një kritik i vendosur i “imperializmit” të SHBA-së.

Aleatët rajonalë të Chavezit kanë thënë se vdekja e tij është një “humbje e madhe”.

Me rastin e vdekjes së mikut të dashur të Ekuadorit, presidentit të Republikës Bolivariane të Venezuelës, Ekuadori do të shpallë tre ditë zie kombëtare”, ka thënë presidenti i këtij vendi, Rafael Correa.

Qeveria e Kubës po ashtu ka shpallur tre ditë zie kombëtare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur mbështetjen e Amerikës për popullin e Venezuelës dhe interesin e Uashingtonit për “zvhillimin e një marrëdhënieje konstruktive me Qeverinë e Venezuelës”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Chavez ka qenë “një njeri i pazakontë dhe i fortë”, i cili ka kontribuar në masë të madhe në marrëdhëniet Rusi-Venezuelë.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka thënë se Chavez ka rënë “martir” i një “sëmundjeje të dyshimtë”.

Kina, ndërkaq, e ka përshkruar atë si një “mik të madh”.

Chavez, qysh në mesin e vitit 2011, u është nënshtruar katër opeacioneve në Kubë.

Ndërhyrja e fundit ka qenë më 11 dhjetor të vitit të kaluar dhe prej asaj kohe ai nuk është parë në publik. Trupi i Chavezit do të varroset të premten.

Nënpresidenti Nicolas Maduro do të udhëheqë vendin si president i përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen brenda 30 ditësh.

Maduro pritet të përballet në zgjedhje me liderin e opozitës, Henrique Capriles, i cili në zgjedhjet e tetorit të kaluar është mposhtur nga Chavezi.

Përgatiti: Valona Tela


Trego komentet

XS
SM
MD
LG