Ndërlidhjet

Jahjaga e Thaçi, takim për dialogun


Foto Arkiv
Foto Arkiv
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takim kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin, i cili e informoi atë për rrjedhën e takimit që u zhvillua në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në një komunikatë të lëshuar nga presidenca, thuhet se, kryeministri ka vlerësuar se "dialogu ka dhënë rezultate praktike në arritjen e një varg marrëveshjeve që lehtësojnë jetën dhe punën e qytetarëve të të dyja vendeve".

Thaçi citohet të ketë thënë se po bisedohet për shpërbërjen e të gjitha strukturave paralele dhe ilegale.

“Shpërbërja e strukturave paralele serbe, krijon kushtet që në katër komunat e veriut të vendit të organizohen zgjedhjet për asambletë dhe për kryetarët e komunave dhe qytetarët nëpërmjet këtij procesi të lirë dhe të drejtë do kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit legal dhe legjitim të pushtetit”, ka thënë Thaçi, thuhet në këtë komunikatë.

Kreu i ekzekutivit, ka bërë të ditur se, "Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të krijohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës si një e drejtë kushtetuese dhe ligjore si dhe një obligim që del nga Pakoja e Marti Ahtisarit dhe që është në funksion të koordinimit dhe të bashkëpunimit më të mirë ndërmjet komunave".

Ai tha se në takimin e ardhshëm në Bruksel më 20 Mars, palët do të merren vesh për afatet konkrete të zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Presidentja theksoi se të gjitha zgjidhjet do të jenë në pajtim të plotë ndërmjet palëve dhe se janë zgjidhje kushtetuese dhe ligjore dhe sipas shembullit dhe praktikave më të mira evropiane.

Takimi i së hënës në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq është përmbyllur pa ndonjë marrëveshje konkrete.
XS
SM
MD
LG