Ndërlidhjet

Diplomatët e Kombeve të Bashkuara dinë se si të kalojnë kohë të mirë.

Shumë misione rregullisht sponsorizojnë koncerte, ngjarje kulturore dhe mbajnë ahengje dhe pritje luksoze. Por, disa thonë se argëtimi i ka kaluar kufijtë.

Ambasadori i SHBA-së për menaxhim dhe reformë, qortoi kolegët duke thënë se gjatë negociatave buxhetore, ata kanë qenë tepër të dehur.

“Sa për zhvillimin e negociatave, kemi bërë propozim modest që dhoma negociuese, në të ardhmen, duhet të jetë një zonë e lirë nga dehja”, ka thënë ambasadori amerikan, Joseph Torsella, gjatë një takimi të Komitetit të Pestë të Asamblesë së Përgjithshme, që merret me administrimin dhe çështjet buxhetore.

“Derisa qeveria ime është me të vërtetë mirënjohëse për mundësitë strategjike të paraqitura nga disa praktika të fundit, le ta ruajmë pak shampanjë për të ngritur dolli për fundin e suksesshëm të sesionit dhe ta bëjmë më meritor reputacionin e Komitetit të pestë në këtë proces”, është shprehur ai.

Bisedimet buxhetore të OKB-së janë seanca maratonike që vazhdojnë me javë në çdo dhjetor dhe shpesh vazhdojnë edhe gjatë natës. Ato kanë rifilluar së fundmi.

Një i dërguar i OKB-së, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se diplomatët në të kaluarën kanë ardhur në takim aq të dehur sa nuk kanë mundur të kryejnë punën e tyre.

Në një rast, një diplomat është dashur të mbajë shënime për rezultatin
e takimit, por ishte shumë i dehur për të shtypur.

“Kjo nuk ka të bëjë me pirjen e një gote në fund të ditës, ose edhe një gotë verë apo uiski, derisa negociohet teksti, apo një festë me dolli të shumta pas përfundimit të negociatave”, ka shpjeguar i dërguari.

Ky emisar pretendon se ardhja në takime vonë, apo të dehur, është një taktikë e përdorur nga disa përfaqësues që të pengojnë negociatat.

“Ka të tillë në këtë komision që do të donin të ruanin status quo-në, dhe ata që do të donin të shihnin që Komiteti për menaxhim dhe buxhet i OKB-së, të miratojë disa nga reformat, për të cilat kanë dëshpërimisht nevojë”, ka thënë burimi.

Diplomatët tjerë, megjithatë, nuk e shohin pirjen si problematike, madje thonë se ajo është potencialisht e dobishme për negociatat.

Një diplomat i OKB-së, gjithashtu duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se zakonisht, dikur vonë në takimin e fundit, alkooli sillet nga jashtë.

“Është traditë që kryetari i komisionit, zakonisht rreth mesnatës, urdhëron një mori picash të mëdha dhe pije të gazuara, në mënyrë që të mos kenë pushim që të shkojnë në shtëpi, të shtrihen dhe të humbasin kohë”, ka thënë diplomati.

“Rusët zakonisht vijnë me disa shishe të vodkës në këtë kohë”.

Diplomati ka shtuar se nuk pihet në dhomën e bisedimeve dhe nuk përfshihen përfaqësuesit kryesorë të negociatave.

Burimi ka sugjeruar se komentet e ambasadorit Torsella mund të kenë qenë të drejtuara drejt atyre diplomatëve që duhet patjetër të jenë të pranishëm dhe duhet të qëndrojnë deri në fund të negociatave, kur duhet votuar.

Sipas diplomatit anonim, për shkak se për rezultatet Komiteti i Pestë vendos unanimisht, negociatat mund të shkojnë më lehtë, po qe se përfaqësuesit më luftarakë, kanë pirë ndonjë gotë.

“Nuk është sekret se ndonjëherë është e dobishme, që ata që përpiqen të minojnë bisedimet, të dërgohen në një gjendje, që nuk armiqësojnë tërë negociatat”, ka thënë diplomati.

“Pra, nuk është se SHBA-të dhe të tjerët nganjëherë, nuk kanë pasur përfitim nga qasja e disa anëtarëve, që nuk e kanë mendjen në gjendje të duhur për të negociuar”, është shprehur ai.

Diplomati ka thënë se është vështirë të kuptohet arsyetimi i thirrjeve për një zonë të lirë dehjeje.

Një i dërguar i Afrikës në OKB, duke folur në kushte anonimiteti, sugjeroi se ndalimi i alkoolit do të shkonte kundër frymës së atmosferës miqësore.

“Ndonjëherë rusët sjellin vodka. Disa delegacione afrikane sjellin verë”, ka thënë i dërguari.

“Ne duhet të inkurajojmë ata e jo t’i fajësojmë. Ne mund të fajësojmë njerëzit që janë duke fjetur dhe nuk vijnë në Kombet e Bashkuara për të punuar”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG