Ndërlidhjet

Ahmadinejad parasheh rikthimin e Chavezit


Presidenti venezuelas, Hugo Chavez, dhe ai iranian Mahmud Ahmadinejad
Presidenti venezuelas, Hugo Chavez, dhe ai iranian Mahmud Ahmadinejad
Vdekja e presidentit të Venezuelës, Hugo Chavez, ka nxitur eulogji nga e gjithë bota, por disa nga to kanë qenë të çuditshme.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka parashikuar rikthimin e tij.

Dhe, sikur rikthimi në tokë të mos ishte i mjaftueshëm, Ahmadinejad ka thënë se Chavez do të kthehet së bashku me disa njerëz të respektuar.

“Nuk kam asnjë dyshim se Chavez do të kthehet së bashku me Jezu Krishtin dhe Mahdi-un, për të krijuar paqe dhe drejtësi në botë”, ka shkruar Ahmadinejad në ueb-faqen e tij personale.

Mahdi është një figurë e nderuar në mesin e myslimanëve shiitë dhe shumë prej tyre besojnë se ai do të rikthehet për të shpëtuar njerëzimin.

Ahmadinejad, i cili ka krijuar një miqësi të afërt publike me Chavezin, ka lavdëruar këtë të fundit “për shërbimin në Venezuelë dhe për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe revolucionare”.

Irani ka shpallur një ditë zie kombëtare për vdekjen e Chavezit, ndërsa mediat në Teheran kanë thënë se ekziston mundësia që Ahmadinejadi të ndjekë ceremoninë e varrimit të tij, më 8 mars.

Ahmadinejad ka mbështetur po ashtu deklaratat e nënpresidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili pak para vdekjes së Chavezit ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim” që armiqtë e vendit i kanë dhënë kancerin liderit majtist.

Në mesazhin e tij ngushëllues, Ahmadinejad ka thënë se Chavez ka qenë “martir”, i cili ka rënë pre e një “sëmundjeje të dyshimtë”.

Chavez, i cili ka udhëhequr Venezuelën për 14 vjet, ka qenë një figurë kontroverse edhe në vendin e tij, edhe në skenën ndërkombëtare. Disa e kanë parë si hero për shkak të programeve të tij socialiste, të projektuara për të ndihmuar të varfrit, si dhe kritikave të forta për Shtetet e Bashkuara.

Në Iran, Chavezi ka gëzuar popullaritet të madh. Ahmadinejad ka admiruar kundërshtimin e tij të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet e tij me udhëheqësin e Venezuelës janë karakterizuar me përqafime të ngrohta, shaka dhe lëvdata. Në disa raste, Ahmadinejad i është referuar Chavezit si vëlla i tij.

Teherani dhe Karakasi kanë firmosur marrëveshje miliarda dollarëshe për tregti dhe investime në vitet e kaluara. Chavez ka bërë 13 vizita në Iran gjatë kohës sa ka qenë president, ndërsa Ahmadinejad ka vizituar gjashtë herë Venezuelën qysh në vitin 2005.

“Hugo Chavez është një emër i njohur për të gjitha kombet. Emri i tij është rikujtim për pastërtinë, mirësinë, trimërinë… është përkushtim dhe përpjekje e palodhshme në shërbim të popullit, sidomos të të varfërve dhe atyre që i tremben kolonializmit dhe imperializmit”, ka shkruar Ahmadinejad në ueb-faqen e tij.(v.t)
XS
SM
MD
LG