Ndërlidhjet

Diplomatë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë pritet të bëjnë përpjekje të reja për të gjetur gjuhë të përbashkët rreth konfliktit në Siri.

Takimi i sotëm në Londër ndodh pasi presidentët Barack Obama dhe Vladimir Putin kanë biseduar të premten e kaluar për Sirinë, përmes telefonit.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se dy liderët janë pajtuar “për nevojën e avancimit të tranzicionit politik”, i cili do t’i jepte fund dhunës sa më parë që të jetë e mundur.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se zëvendësministri i Jashtëm, Mikhail Bogdanov, do të bisedojë sot me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, William Burns.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për krizën në Siri, Lakhdar Brahimi, do të marrë po ashtu pjesë në bisedime.

Rusia, e cila i shet armë regjimit sirian, ka refuzuar të mbështesë thirrjet e Perëndimit për dorëheqjen e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Konflikti civil në Siri ka nisur në mars të vitit 2011 dhe ka lënë mbi 70,000 njerëz të vrarë.
XS
SM
MD
LG