Ndërlidhjet

Daçiq: Po gënjejmë se Kosova është e jona


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Shkruan: Ivica Daçiq për javoren NIN


Me respektin më të madh dhe me bashkë-ndjenjë për dhimbjen e familjes së tij, po përkujtoj dhjetëvjetorin e vdekjes së Zoran Gjingjiqit. Dhe, mendoj se kjo është thelbi se çka duhet të them për Gjingjiqin.

Të gjitha tjerat për Gjingjiqin, është rrëfimi për Serbinë.

Për detyrat që janë para nesh.

Serbia, dhjetë vjet më pas, ende nuk ka zgjidhur atë çështjen që e mundonte Qeverinë e Gjingjiqit. Ende nuk e di se ku i ka kufijtë dhe në cilin territor, vërtet, ka sovranitet.

Përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi edhe më tutje nuk janë të mirëseardhur në Kosovë, për të shkuar në krahinë - siç e thërrasim edhe më tutje Kosovën - duhet të marrin lejen nga autoritetet e Prishtinës, dhe pothuajse nuk kanë asnjë mekanizëm, me të cilin eventualisht, do të mund të mbronin serbët që jetojnë në Kosovë.

Zoran Gjingjiq ka folur i pari në Serbi për këto fakte. Ironia qëndron në atë se është dashur dhjetë vjet, që këtë gjë, dikush në Serbi, ta përsërisë.

Ose, po folëm për përgjegjësinë, historia, prapë sipas Gjigjiqit, “këtë herë ka qenë e drejtë.” Isha pjesë e qeverisë, e cila edhe me luftë është munduar që të zgjidhë çështjen e Kosovës. Ndoshta, vërtet, ka drejtësi në atë që sot të jem kryepërgjegjësi për zgjidhjen paqësore, një zgjidhje përmes negociatave, dhe një zgjidhje, e cila nënkupton që gjithkush të humbë nga pak. Dhe, këtë ta thotë hapur.

Kjo pjesa, për transparencën dhe sinqeritetin, është pikërisht ajo (pjesë), nga e cila pasardhësit e Zoran Gjingjiqit, qeveritë që erdhën pas tij, sigurisht se abstenuan më së shumti nga ajo që ai thoshte dhe bënte. Gati dhjetë vjet Kosova ka qenë një temë e ndaluar dhe për të, zyrtarisht, askush nuk ka guxuar të thotë të vërtetë. Ka tregu përralla.

Është gënjyer se Kosova është e jona, dhe madje kjo është zyrtarizuar edhe në Kushtetutë. Sot, e njëjta Kushtetutë nuk ndihmon aspak. Presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë. As kryetari i Qeverisë. As ministrat. As policia. As ushtria.

Serbëve u lejohet vetëm, që në çdo kohë, të ikin nga Kosova. Kaq është e jona Kosova, dhe kaq vlejnë në të, Kushtetuta dhe ligjet tona.

Dhe, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne, si dikur Gjingjiqi, kemi kuptuar, se këto fakte për Kosovën, thjesht duhet t’i tregojmë. Pikërisht pse neve, si dikur atë, na pret një punë e papërfunduar e përcaktimit të hapësirës sonë, vendosja e kufijve të vërtet të Serbisë, si dhe tentimi që nga Kosova, para se gjithash për serbët që jetojnë atje, të shpëtojmë çka mund të shpëtohet, dhe t’iu sigurojmë një jetë normale, të sigurt dhe të ardhme të qartë.

Në këtë mënyrë, dhe vetëm kështu, edhe Serbia do të ketë të ardhme. Gjingjiqi e dinte këtë, edhe kjo qeveri, pavarësisht faktit se shumica kurrë nuk do të mund ta kuptojë dhe pranojë këtë gjë, po ashtu e dinë këtë gjë.

E di se me fjalë boshe shteti nuk mbrohet. Dhe, se pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që problemi të identifikohet fillimisht, e pastaj edhe të zgjidhet. Nëse nuk e pranojmë se kemi humbur autoritetin në pjesën më të madhe të Kosovës, se me të qeverisin shqiptarët... për çka do të luftojmë në fund, dhe për çka po negociojmë, nëse nuk ka probleme?!

Kosova është vërtet vend i shenjtë për serbët. Dhe, askush nuk e mohon këtë, as Gjingjiqi nuk e mohonte. Simbolet, legjendat, mitet nacionale... janë shumë të rëndësishëm për çdo shtet. Përmes tyre ndërtohet vetëdija nacionale dhe ndjesia e identitetit. Ato janë, në të gjitha shtetet, pjesë përbërëse e librave dhe mësimit në shkolla.

Amerikanët kanë Alamon, rusët kanë kontin Vlladimir, gjermanët Perandorinë e Shenjtë Romake...

Ne kemi Kosovën. Miti i cili është thellë i ngulitur në qenien tonë nacionale, por edhe miti, të cilin shumë e kanë keqpërdorur, sepse e përdorën për të arsyetuar humbjet dhe dështimet personale.

Zoran Gjingjiq nuk pranonte, as dështimet, e as arsyetimet për dështimet. Dhe, këmbëngulte se patriotizmi i vërtetë është vetëm ai që prodhon rezultate konkrete.

Ai, i cili nuk flet për dashurinë ndaj shtetit tënd, por bën diçka për shtetin. Dhe, kjo për çfarë unë kam hyrë në këtë Weveri të Serbisë, si partnerët e mi, është pikërisht për të arritur rezultate, si dhe pse jemi të bindur se kemi punë për të bërë më në fund për shtetin tonë - e gjithë kjo, megjithatë, nuk do të thotë se jemi një lloj i të konvertuarit, të cilët për hatër të fitimit personal politik, prosperitetit, përnjëherë kanë pranuar, qëndrimet e Zoran Gjingjiqit, që janë harruar për një kohë të gjatë, të paktën në Serbi.

Jo. Gjingjiqi ishte për çdo respekt, një kundërshtar i vyer politik. Por, njëjtë sikur ne, pjesë e Serbisë. Të një Serbie, e cila po ndryshon, po ecën dhe po mëson nga pak.

Edhe sot, jam i bindur, se ai nuk do të kishte gjë kundër pse pikërisht ne, kundërshtarët e tij politikë, po bëjmë këtë që po bëjmë. Do të përshëndeste faktin se jemi takuar, në të ardhmen. E ardhmja, e ardhmja e Serbisë, megjithatë atë, e interesonte më së shumti.

Dhe, këtu pajtohem në tërësi. Se kjo e ardhme është puna jonë parësore.

Për shkak të fëmijëve të Zoranit, të mive dhe tuajve. Ata duhet të jenë në të. Bashkë.

* Tekstin integral e botojmë me lejen e magazinës NIN.
Përgatiti: Fatmir Aliu
XS
SM
MD
LG