Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata ndërkombëtarë kanë theksuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të ballafaqohet me probleme.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës Tracey Jacobson ka deklaruar se institucionet e drejtësisë e kanë për detyrë të veprojnë kur janë në dijeni për kërcënimet për jetën e qytetarëve.

Ajo tha se moskryerja e detyrave në raste të dhunës, është shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës.

Jacobson, si rast kur organet e rendit dhe drejtësisë nuk kanë vepruar për të mbrojtur qytetarin, ka përmendur rastin e Diana Kastratit, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, pavarësisht që kishte kërkuar mbrojtje dhe ndihmë nga autoritetet kompetente.

Ambasadorja amerikane ka theksuar veç tjerash se “ky është një precedentë për të ardhmen sepse mbrojtja nuk duhet të përfshijë vetëm urdhrat për mbrojtje emergjente por edhe reagimin e policisë dhe prokurorisë”.

Sistemi gjyqësor e ka për detyrë të reagojë kur ekziston kërcënim i qartë për jetën e dikujt, dhe në këtë rast dështimi për të vepruar dhe për të mbrojtur atë jetë është shkelja e të drejtave të njeriut dhe shkelja e Kushtetutës”, tha ambasadorja Jacobson me rastin e fillimit të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët”.

Diplomatja amerikane në Kosovës tha se për përgjegjësinë dhe sistemin e drejtësisë, publiku duhet të dijë se çfarë të drejta ka në lidhje me qasjen në gjykatë dhe informacionin gjyqësor.

Asnjë sistem gjyqësor nuk mund të punojë si duhet pa besimin e njerëzve. Ne kemi punuar me këto programe, me inspektorë policorë në Kosovë, me Zyrën Disiplinore të Prokurorisë, me Odën e Avokatëve, për të përmirësuar mekanizmin e ankesave dhe për të edukuar publikun se si të përdoren këta mekanizma. Për fat keq, Këshilli i Prokurorisë dhe ai gjyqësor kanë dështuar të japin emrat e atyre të cilët janë akuzuar për sjellje të pahijshme”, tha Jacobson.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka pranuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë, nuk ka funksionuar në mënyrën më të mirë deri më tani.

Ne duhet të pranojmë faktin se gjyqësori në Kosovë nuk ka funksionuar në mënyrën më të mirë si ne e kemi dëshiruar. Po ashtu, duhet ta pranojnë faktin që qytetarët shpesh ndihen që të drejtat e tyre nuk mund të realizohen në mënyrë me të mirë apo më të kënaqshme. Deri më tani sistemi gjyqësor në Kosovës ka pasur mirëkuptimin e qytetarëve, dhe besoj edhe nga shoqëria në përgjithësi. Është koha që gjyqësori të rrisë llogaridhënien, të rrisë transparencën dhe bashkëpunimin me qytetarët e Kosovës”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, nënvizoi se problemet në gjyqësor kanë ndodhur edhe nga përpjekjet e vazhdueshme për të reformuar sistemin gjyqësor.

Një fakt tjetër që të gjithë ne e dimë është që sistemi i gjyqësorit dhe ai i drejtësisë në tërësi ka kaluar në faza të vështira. Tentativa për ta reformuar atë vazhdimisht kanë bërë që sistemi gjyqësor të marrë shumë kohë në procesin e reformave. Numri i madh i lëndëve, trashëgimia e kaluar jo e mirë ka bërë që puna në sistemin gjyqësor shpeshherë të jetë e vështirë”, tha Kuçi.

Të pranishmit në debat me rastin e fillimit të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët”, thanë se sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të jetë sektori më i kritikuar, sa i takon mosefikasitetit në punë, mospërmbarimit të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.

Edhe qytetarët shprehen të pakënaqur me punën që bëhet në gjykata e prokurori.

Gjërat janë të pashpjegueshme. Që 14 vjet liri nuk kemi numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe arsyetimet e kompetentëve janë të paarsyeshme, kur kemi juristë e profesionistë. Nuk mund të kesh besim në ketë situatë kur nuk ka gjyqtarë dhe kur fitet që ka edhe keqpërdorime dhe korrupsion”, tha Gani Krasniqi qytetar nga Prishtina.

Ngjashëm mendon edhe Ilaz Durguti, i cili tha se në sistemin e drejtësisë nuk punohet drejt.

Ai për më tepër tregon për problemet që ka me një lëndë të cilën për më shumë se pesë vejt nuk i është shqyrtuar.

Kancer i Kosovës janë gjykatat e korruptuara. Që shtatë vjet i kam kërkesat aty, disa i kam që 5 vjet, kurrë nuk i kanë marrë parasysh, as që duan të dinë për atë punë, prej Gjykatës Komunale në Gjyq të Qarkut e tash në Gjykaten e Apelit e keshtu me radhë nuk ka as gjë dhe nuk punon askush”, tha Durguti.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG