Ndërlidhjet

logo-print

Krushë: Lufta e gruas për të mbijetuar


Të dala nga një ndër fatkeqësitë më të mëdha të luftës, me familjarët meshkuj të vrarë e të zhdukur, grave të Krushës së Madhe e të Vogël iu desh kohë e gjatë që të rimerrnin veten.

Masakra e 26 marsit e 1999-s, ku forcat paramilitare serbe vranë më shumë se 200 persona, kryesisht burra e të rinj nga mosha 12 deri në 90 vjeçare, bëri që Krusha e Madhe dhe e Vogël, të njihen si fshatrat pa burra.

Zonjat, që papritmas u bënë kryefamiljare dhe morën barrën e mbajtjes së familjes, kujtojnë se si një numër i madh i të vrarëve ishin mbyllur në një shtëpi në Krushë të Vogël, ku ishin ekzekutuar nga dritarja, e më pas ishin djegur nga zjarri.

Ato tregojnë se para se të ndodhte një veprim i tillë, forcat serbe i kishin urdhëruar ato, që së bashku me fëmijët e vegjël, të iknin për në Shqipëri.

Katërmbëdhjetë vjet pas, pasojat e luftës vërehen në Krushën e Madhe, megjithëse përgjatë këtyre viteve u ngritën shtëpi të reja, të cilat në 99-n ishin rrafsh me tokë.

Ajo çka ka ndodhur në Krushën e Madhe me rrethinë gjatë luftës, ishte një fatkeqësi e madhe, thotë Fahrie Hoti, e cila as sot nuk di asgjë për fatin e bashkëshortit të saj, Bashkimit.

Ajo tregon për rifillimin e jetës pas luftës

Fillimisht themeluam një shoqatë 'Gratë e veja', për hulumtimin e personave të pagjetur. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, e pamë që ishte një rrugë e gjatë, vrapuam shumë dhe nuk kishte asgjë. Askujt nuk iu bë vonë pse nuk është kthyer Bashkimi. Vendosem që t’i kthehemi jetës, të punojmë", tregon Hoti.

Gratë të veja të Krushës më pas filluan ta mbillnin tokën dhe të ringjallnin jetën si para luftës, kur gjëra të tilla kishin bërë bashkëshortët.

Zonja Hoti thotë se pas organizatës “Gratë e veja”, që u themeluan në vitin 2005, filluan të merreshin edhe me konservimin e ushqimeve dimërore.

Pas suksesit dhe kërkesave nga qytetarët, kjo organizatë ka rritur kapacitetet e saj prodhues dhe njëkohësisht edhe ka rritur numrin e të punësuarave.

Kështu në vitin 2010 u shndërruan në kooperativën bujqësore “Krusha”.

Sot jemi në një biznes shumë të mirë. Njëzetepesë punëtore jemi që punojmë rregullisht. Këto janë kryefamiljare si subjekt i punës, ndërsa atje ku punohet, ajo anëtare punon komplet me familjen, atëherë trefishohet numri i punëtoreve".

"Unë mund të prezantoj numrin si 25, por mund ta prezantoj edhe 100, se vazhdimisht janë të angazhuara familjet, konservojnë dhe i sjellin konservimet në kooperativë nga ku produktet nisen për në treg
”, shpjegon zonja Hoti.

Kooperativa “Krusha” tashmë është e njohur në Kosovë.

Produktet e saj bëhen mbi bazën e recetave tradicionale. Me produktet e veta, kjo kooperative furnizon rreth 28 markete të mëdha në qytetet e Kosovës.

Prodhimet e tyre më të kërkuara janë ajvari dhe specat me kos.

Është një punë me të vërtetë e befasishme edhe për mua, që në një moshë të shtyrë edhe vështirësitë që kemi përjetuar, tmerrin, të mbajmë tregun paralel me djemtë e ri. Kjo është për t'u çuditur”, shprehet zonja Hoti, për të shtuar se kooperativa “Krusha”, me prodhimet dhe produktet e saj, arrin të mbulojë 70% të kërkesave në treg.

Suksesi i punës dhe kërkesat e shumta të qytetarëve për prodhimet e tyre ushqimore, kanë forcuar në masë të madhe gratë, tregon zonja Hoti. Ajo shton se me të ardhurat e fituara, kryefamiljaret mbajnë familjen dhe shkollojnë fëmijët.

Megjithatë, vuajtjet dhe lufta, thotë ajo, nuk harrohen asnjëherë.

Normal që nisin dhe përfundojnë punën, sigurisht me obligimet për punë dhe kujdesin a është ajvari i mirë, a ka krip më pak apo më shumë, por mendoj që ato çdo gjysmë ore e kanë edhe bisedën për luftë, do të thotë si ndodhi, ku janë, si u bë, pse na lanë. Por, kanë edhe kohë kur ato argëtohen”, thekson Hoti.

Njëra nga punëtoret e kooperativës, Sadbere Hoti, shprehet e kënaqur me punën që bën, pasi që sipas saj, prodhimet e tyre janë shumë të kërkuara.

Në radhë të parë jemi të kënaqura që puna po na lavdërohet shumë, dhe punën po e bëjmë mirë, por edhe prodhimet me kualitet”, thekson ajo.

Fshati Krushë e Madhe, banohet kryesisht nga fëmijë që kanë humbur babanë, dhe me gra të veja të cilat duhet të mbajnë familjet e tyre dhe të rrisin fëmijët pa bashkëshort, duke kultivuar perime; speca, domate e të tjera, nga të cilat shpeshherë edhe nuk mund t’ia dalin, pa ndihmat mujore sociale, sado të vogla që janë.

Sido që të jetë, gratë nga Krusha e Madhe thonë se pavarësisht nga përjetimet shumë të rënda që kanë që nga paslufta, ato janë të përkushtuara për të mbajtur familjen dhe për t'u kujdesur për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG