Ndërlidhjet

Limaj nga paraburgimi në arrest shtëpiak


Foto Arkiv

Foto Arkiv

Lirohet nga paraburgimi deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Lajmi është bërë i ditur sot pasdite nga avokati i tij mbrojtës, Tomë Gashi.

Ai ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Limaj sot është liruar nga paraburgimi për ta zëvendësuar atë me arrest shtëpiak deri më 24 prill.

“Fatmir Limaj është liruar nga paraburgimi, duke e zëvendësuar me arrest shtëpiak, i cili do të zgjasë deri më 24 prill. Kaq mund t’ju them”, ka thënë Gashi për REL.

Ky vendim është marrë nga Gjykata Supreme, pas ankesës së avokatit Gashi.

Gashi nuk ka dashur të komentojë më shumë, duke thënë se detaje tjera lidhur me këtë rast mund të publikohen më vonë.

Fatmir Limaj, ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar.

Masa ndaj tij dhe tre të akuzuarve tjerë, ka të bëjë me rastin e njohur si “Kleçka”,që ndërlidhet me akuzat për krime lufte.

Për këtë rast, Limaj dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ishte EULEX-i më pas që kërkoi rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.

Rihapjen e procesit EULEX-i e ka mbështetur në dëshmitë nga ditari i të cilësuarit si “Dëshmitarit X”, (tashmë i ndjeri Agim Zogaj).
XS
SM
MD
LG