Ndërlidhjet

Burrat mendojnë se gratë kanë të drejta në Kosovë, të cilat u garantohen. Por, se sa zbatohen ato, pak prej tyre janë të kënaqur.

Disa thonë se në jetën politike, ka përfaqësim të denjë, por se kjo nuk është e mjaftueshme, për shkak të stereotipeve që janë trashëguar nga e kaluara, e që e portretizojnë gruan si të dobët dhe të bukur.

Nëse më pyesni se çfarë mendojnë burrat për të drejtat e grave, do ta them me një dozë cinizmi, se burrat për të drejtat e grave mendojnë vetëm një herë në vit, dhe atë për 8 mars, kur duhet, jo për shkak të respektit, por për shkak të obligimit të blejnë lule” - kështu nis përgjigja e Arbër Vllahiut, një burri në të dyzetat, kur pyetet se çka mendon ai për të drejtat e grave në Kosovë.

Ilustrimi për një përgjigje të tillë, ndoshta mund të gjendet shumë lehtë edhe kuluareve të shumë institucioneve shtetërore, të cilat për ditën ndërkombëtare të gruas, 8 Marsin, morën shkas që t’i lirojnë zonjat më herët nga puna, sesa e parasheh orari zyrtar.

“Më fal se i kemi mungesë ato punëtoret, se i kemi lëshuar më herët (të shkojnë në shtëpi). Ato dy punëtoret”, thotë një punëtor në recepsion te ndërtesa e Qeverisë, duke rikujtuar se u kishin blerë edhe dhurata kolegeve.

Një ministër i Qeverisë së Kosovë, e pranon se pozita e gruas në shoqëri, nuk është për t’u lavdëruar. Ibrahim Makolli sqaron se për shkak të gjendjes së përgjithshme, dhe shumë faktorëve që kanë ndikuar në të kaluarën, femra vazhdon të jetë objekt i keqtrajtimeve.

Ai thotë se shoqëria duhet të angazhohet edhe më tepër që të eliminojë trashëgiminë e së kaluarës, e cila po ndikon në pamundësinë e barazisë së femrës.

“Ne duhet të punojmë, dhe duhet të angazhohemi, që në Kosovë të ketë një barazi të plotë në mes të gjinive, pa pasur nevojë për mekanizma shtesë, të cilët do ta detyronin ta bëjnë këtë. Duhet të jetë një edukim i përgjithshëm i joni, si shoqëri, dhe në këtë aspekt, shkollimi ka dhe do ta ketë një rol shumë të rëndësishëm në ecjen përpara të këtyre proceseve”, thotë Makolli.

Se shoqëria duhet të lirohet nga stereotipet, e thotë edhe një ministër tjetër.
Sllobodan Petroviq, që është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, shpjegon versionin e tij të të kuptuarit të barazisë gjinore, nga pozita e një burri.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nuk harron që t’i urojë ato për këtë festë, me dëshirën që gjithë vitin ta kenë si ditën e sotme.

“Nuk varet gjithçka nga vullneti i mirë, por varet edhe nga kapacitetet e tyre. Por, çka është me rëndësi është që ne të krijojmë hapësirë për përfshirjen e tyre në të gjitha këto procese. Kjo është shumë e rëndësishëm, jo vetëm për shkak të kësaj forme, pse janë gjinia më e bukur dhe më e dobët, por thjesht për faktin, bazuar në përvojën e përbashkët, se pikërisht gratë ishin më të përgjegjshme se meshkujt në këto procese”, shprehet Petroviq për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, sipas Arbër Vllahiut, këshilltar i presidentes së Kosovës, gruaja në Kosovë, ka të drejtat e saj si çdo pjesë tjetër e shoqërisë, të pamohueshme dhe të pazëvendësueshme.

Në rrafshin politik, ai thotë se ka një avancim të pozitës së gruas. Por, kjo sipas tij nuk është e mjaftueshme.

“Avancimi i tyre nuk do të duhej të ishte vetëm në rrafshin politik, por edhe në nivelin ose rrafshin shoqëror. Gratë do të duhej të jenë, jo vetëm bartëse të punëve në shtëpi, por bartëse e të gjitha proceseve, në të cilat kalon një familje, një shoqëri, një shtet. Pra, thjesht, duhet ta shohim mundësinë e përfshirjes së gruas në të gjitha poret e jetës, jo për shkak të plotësimit të kuotës, por për shkak të cilësisë që ka”, thekson Vllahiu.
XS
SM
MD
LG