Ndërlidhjet

New York Times: Shfajësimi i John Brennanit


John Brennan
John Brennan
John Brennan, shefi i sapokonfirmuar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), ka qenë në këtë agjenci në shumicën e kohës gjatë 25 vjetëve të fundit.

Ai ka mbajtur dy poste në fushën kundër terrorizmit, gjatë administratës së George W. Bushit. Në njërin, ai përpilonte raportet e inteligjencës nga 20 agjenci (përfshirë CIA-n) për t’ia paraqitur në brifingun e mëngjesit presidentit Bush, shkruan në një editorial të sotëm, “New York Times”.

Brennan ishte këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Obama në mandatin e tij të parë dhe një arkitekt i politikës për vrasjen e objektivëve.

Megjithatë, shkruan NYT, në seancën konfirmuese të Senatit në muajin shkurt, ai duket se u bë një nga pak njerëzit, (përveç ndoshta Dick Cheneyt dhe disa figurave kokëforta të krahut të djathtë), që mendon se ende ka disa dyshime në lidhje me atë nëse administrata e Bushit ka torturuar të burgosurit, ka fshehur veprimet e saj nga Kongresi dhe i ka mashtruar të gjithë rreth asaj nëse dëshmitë e detyruara dhanë informacione të vlefshme.

Zoti Brennan i tha Komisionit për Inteligjencë të Senatit se ai ishte i befasuar nga gjetjet e një raporti 6 mijë faqesh të Senatit mbi ndalimin dhe marrjen në pyetje.

Scott Shane raportoi të enjten në Times se raporti konkludon se marrja në pyetje e të burgosurve të Al Qaedas, përfshirë torturën dhe abuzimin e tyre, “u keqkuptua, u keqmenaxhua dhe ishte shumë më pak e dobishme në zbulimin e informacioneve sesa që besonin mbështetësit”, e kësaj politike.

Përgjigja e zotit Brennan, në kohën kur mbante një nga postet në CIA, derisa tortura ishte në kulmin e saj (kur Khalid Sheikh Mohammed iu nënshtrua torturës me ujë 183 herë), ishte: “Unë nuk e di se cilat janë faktet, e cila e vërteta. Kështu që unë me të vërtetë duhet të shoh me kujdes dhe të shoh se çfarë përgjigje jep CIA”, thekson NYT.

Në të kaluarën, zoti Brennan tha se nuk ka pasur asnjë rol në drejtimin e programit të torturës dhe shprehu mosmiratimin - privatisht te disa njerëz në lidhje me të.

Në lidhje me dyshimet për programin e torturës, NYT kujton se ai kishte thënë se do ta bënte këtë gjë prioritet sapo të shkonte në agjenci.

Por, siç shkruan gazeta, kjo vështirë se do të ndodhë, duke marrë parasysh se presidenti Obama nuk e ka farë në fushën e prioriteteve këtë çështje dhe ai ka refuzuar që të merret me këtë që nga koha kur mori detyrën.

Si rezultat, shumë e shumë detaje nga krijimi i programeve dhe kryerja e torturave ndaj të burgosurve në Gjirin e Guantanamos në Kubë, do të mbeten të panjohura për shumicën e anëtarëve të Kongresit dhe për publikun.

Zoti Obama jo vetëm që refuzoi të hapë ndonjë hetim, por administrata e tij i dha një pëlqim CIA-s, zyrtarët e së cilës shkatërruan videokaseta që përmbanin torturimin.

“Raporti i Senatit mund të jetë shpresa e fundit për amerikanët që të zbulojnë të vërtetën për atë që zoti Bush dhe zoti Cheney autorizuan në emër të mbrojtjes së vendit tonë - vendime që shkaktuan dëme të mëdha për reputacionin e shtetit në mbarë botën. Por, ai mbetet sekret dhe zoti Brennan nuk ka thënë se kur do të mbështesë lëshimin e ndonjë version të redaktuar për publikun. Kjo është e vetmja rrugë e pranueshme. Fshehja e shkeljes së ligjeve e epokës së Bushit duhet të ndalojë”, thuhet në editorial.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG