Ndërlidhjet

“Asociacioni i komunave serbe, siç po quhet, duke qenë se po ngjizet me Daçiqin në Bruksel, është tradhti e Thaçit ndaj shtetit të Kosovës. Nuk ka rëndësi, në fund të fundit, se çfarë kompetenca do të ketë ai asociacion - me vetë faktin që po realizohet në bashkëpunim me Serbinë paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, Ju keni kritikuar në vazhdimësi Qeverinë e Kosovës për shkak të dialogut që po zhvillon me Beogradin. Në çka konsiston konkretisht ky qëndrim i juaji tani kur po bisedohet edhe për çështje konkrete, siç janë kompetencat e asamblesë e komunave serbe?

ALBIN KURTI
Kosova aktualisht është një vend i varfër, një shtet i dobët dhe në rrugë të gabuar. Për bindjen time, Qeveria e Kosovës, për problemet e Kosovës, është sikurse ilaçi që ta bën më zi sesa sëmundja. Me largimin e kësaj Qeverie mund të krijohen mundësitë për shërim dhe aktualisht kemi një Qeveri, e cila e shënon edhe pamundësinë e shërimit edhe përkeqësimin e mëtutjeshëm.

Kjo Qeveri ka hyrë në bisedime me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë. Ne shumë mirë e dimë që edhe në kohë të luftës Kosova i ka vënë kushte Serbisë për çfarëdo dialogu me të. Edhe në kohën e robërisë e okupimit ka vepruar njësoj. Kjo tregon që po sillemi në mënyrë më pak sovrane, sesa në kohën e luftës dhe të okupimit e robërisë serbe.

Dialogu politik nuk është nisur për hir të Kosovës. Ai është nisur për hir të Serbisë, përkatësisht rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian. Me dialogun teknik, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, e me dialogun politik ajo do ta fitojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, do të jetë një entitet territorial dhe administrativ, sepse komunat janë njësi territoriale e administrative. Tashmë e themeluan edhe një fond për zhvillim, prandaj po sajohet një entitet i ndarë përbrenda Kosovës, i cili është i ndarë etnikisht, territorialisht, administrativisht dhe financiarisht. Asociacioni i komunave serbe, siç po quhet, duke qenë se po ngjizet me Daçiqin në Bruksel, është tradhti e Thaçit ndaj shtetit të Kosovës. Nuk ka rëndësi, në fund të fundit, se çfarë kompetenca do të ketë ai asociacion - me vetë faktin që po realizohet në bashkëpunim me Serbinë paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Thaçi, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, përfshirë edhe ambasadoren amerikane, Tracy Jackobson, thuhet se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative. Ju mendoni se do të jetë e kundërta?

ALBIN KURTI
Pikënisja e Qeverisë së Kosovës është plani i Ahtisaarit. Kryeministri Thaçi po lejon që në Bruksel të bëhet një interpretim ultra-liberal i planit të Ahtisaarit në dëm të Kosovës, e në favor të Serbisë. Po e përsëris, me vetë faktin që ky asociacion i komunave me shumicë serbe po realizohet nëpërmjet marrëveshjes me Daçiqin, paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës, ndaj Republikës tonë.

Në të gjitha negociatat ku ka marrë pjesë kryeministri Thaçi, ai rregullisht ka bërë koncesione drejt kompromisit të madh. Nuk mund të thuhet që ky asociacion do të jetë brenda Kushtetutës me vetë faktin që për të po merresh vesh me Daçiqin. Procesi është në vazhdim e sipër. Kanë mbetur të përcaktohet kompetencat e këtij asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe lëshime të mëdha tashmë janë bërë. Që të gjitha këto për lëshimin e madh që do të bëhet në fund.

RADIO EVROPA E LIRË
A e shihni, atëherë, përcaktimin e kompetencave të këtij asociacioni në bisedime me Daçiqin si pasojë e mos-shtrirjes së autoritetit të Kosovës në veri?

ALBIN KURTI
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri aktual, vazhdimisht e përmend pavarësinë e Kosovës. Asnjë shtet normal nuk e përmend kaq shpesh pavarësinë sikurse Kosova. Kjo është simptomë e dyfishtë. Së pari, e faktit që kjo pavarësi nuk është e plotë. Së dyti, e faktit që ajo edhe kështu si është, gjithsesi është shumë e rrezikuar. Fundja pavarësinë një shtet e përmend kur është i kërcënuar apo kur kërcënon. E, në rastin e Kosovës është shembulli i parë.

Unë nuk kam kurrfarë shpresash që me këtë konjukturë të korruptuar, e cila e ka dëmtuar në mënyrë të shumfishtë shtetin dhe të ardhmen e popullit të Kosovës, e gjithashtu edhe gjendjen socio-ekonomike, mund të presim ditë të mira për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat, atëherë, konsideroni se janë alternativat e shtrirjes së pushtetit në veri dhe vendosjes së një normaliteti edhe në atë pjesë të Kosovës?

ALBIN KURTI
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një program me 13 hapa që duhet zbatuar në mënyrë të bashkërenduar. Këta hapa janë të dy llojeve, në njërën anë, hapa politikë, të sigurisë, mbrojtjes e sundimit të ligjit dhe, në anën tjetër, hapa socio-ekonomik.

Qeveria aktuale e merrte ndonjë gjysëm hapi prej programit të Vetëvendosjes dhe e degradonte në gjest simbolik, pra, jo edhe në aksion në kuadër të një plani strategjik. Edhe intervenimi në veri të Kosovës më 25 korrik, me ç’rast pas disa orëve prej Prishtinës u dha urdhri për zmbrapsjen e forcave policore të Kosovës, edhe renovimet e kohëpaskohshme të shtëpive atje, janë gjeste simbolike, të cilat, në fakt, më tepër u përkasin organizimit të dështimeve me paramendim të kësaj Qeverie në veri të Kosovës, në mënyrë që të krijohet përshtypja se ja provuam ta bashkojmë Mitrovicën e ta integrojmë veriun, por nuk qenka e mundur. Në mesin e këtyre hapave do t’i kisha përmendur, ngritjen e kallëzimeve penale, padive dhe arrestimin e krerëve të strukturave ilegale shtetërore të Serbisë, të cilat janë njëkohësisht edhe kriminale e armiqësore.

Në lagjet e banuara me shqiptarë duhet të vendosen nënstacionet policore, duhet të ndërtohen sa më shumë ura institucionale, fizike, kulturore midis veriut e jugut mbi lumin Ibër dhe duhet ta kemi një program të zhvillimit ekonomik për gjithë Kosovën dhe assesi vetëm për veriun. Kur i qasemi veriut të Kosovës, gjithmonë duhet ta trajtojmë Mitrovicën si një qytet, sepse vetëm kështu mund ta bashkojmë atë. Duhet ta rivitalizojmë "Trepçën", sepse ne e dimë që është gjigant ekonomik që i përket jo vetëm historisë, por edhe të ardhmes së zhvillimit të Kosovës.

Qeveria nuk duhet të lejojë shitjen e pronave të shqiptarëve Qeverisë së Serbisë, e nëse dikush e bën këtë për shkak të kushteve të rënda të varfërisë, Qeveria e Kosovës duhet të jetë ajo që e blen atë pronë. Mendojmë që edhe Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të shpallet dhe bëhet ushtri, sepse shumë probleme që i kemi në veri të Kosovës nuk janë për policinë, por janë çështje ushtarake të mbrojtjes së territorit.

Për ta zbatuar planin e bashkimit të Mitrovicës dhe integrimit të veriut, duhet të bashkëpunojmë me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e BE-së që kanë njohur Kosovën, në rend të parë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën e Italinë, mandej me Turqinë, si dhe shtetet që na kanë njohur dhe kanë treguar qëndrim pozitiv për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, këto vende janë ato që e kanë përkrahur edhe dialogun. A nuk bien ndesh disi masat që i përmendët ju me procesin aktual që po zhvillohet në Bruksel?

ALBIN KURTI
Shtetet, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk mund të bëhen më radikale sesa Qeveria e Kosovës për çështje të Kosovës. Prandaj, qëndrimet e këtyre shteteve për dialogun aktual janë qëndrime që janë të kushtëzuara nga qëndrimet e Qeverisë së Kosovës.

Na përket neve këtu si shtet, si institucione, si qytetarë, në kohën kur e kemi një qeveri të keqe që t’i bëjmë ndryshimet e domosdoshme, në mënyrë që edhe faktorët ndërkombëtarë të na përkrahin për atë që është e drejtë dhe e vërtetë, e kjo është se pavarësia e Kosovës për t’u bërë më sovrane duhet t’i kthehemi vetvetes dhe miqve, e jo armiqve si puna e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, përfundimisht zoti Kurti, e shihni ju problemin e veriut si çështje të dialogut apo si problem që duhet zgjidhur edhe me mjete tjera?

ALBIN KURTI
Mendoj që nuk është Mitrovica problem i Kosovës sa është Qeveria e Kosovës problem i Mitrovicës. Për bashkimin e Mitrovicës, pa të cilin nuk mund të ketë paqe e stabilitet në këtë pjesë të Ballkanit, është e domosdoshme të kombinohen mjetet e politikës, sigurisë, mbrojtjes, sundimit të ligjit me masat socio-ekonomike që përqendrohen në punësimin e popullsisë dhe që më tutje siguron mirëqenie për të gjithë. Mendoj që dialogu me Serbinë i shkon për shtati Serbisë, me ç’rast Beogradi i afrohet Brukselit, e veriu i Kosovës i afrohet Beogradit.

Shteti e ka monopolin e forcës dhe unë mendoj se ndaj kriminelëve të dhunshëm natyrisht që duhet të përdoret forca e ligjit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG