Ndërlidhjet

Rasti i Port Saidit shkakton rebelime të reja në Egjipt

  • RFE /RL

Port Said

Port Said

Në Egjipt kanë shpërthyer protestat pasi gjykata në Kajro ka konfirmuar dënimet për trazirat vdekjeprurëse të vitit të kaluar, në një stadium futbolli në Port Said.

Tifozët e ekipit të Kajros, Al-Ahly, kanë sulmuar selinë e Federatës së Futbollit të Egjiptit në kryeqytet, duke i vënë asaj flakën.

Në Port Said, qindra protestues kanë kërkuar të ndërpritet trafiku i tragetit të makinave në gjithë Kanalin e Suezit.

Dhuna e vitit të kaluar midis një ekipi lokal të Port Said-it, Al-Masry, dhe klubit Al-Ahly të Kajros ka lënë 74 njerëz të vrarë. Shumica e viktimave kanë qenë tifozë të Al-Ahlyt.

Gjykata në Kajro ka konfirmuar të shtunën dënimet me vdekje kundër 21 personave për rolin e tyre në trazira – që të gjithë ata tifozë të Al-Masryt.

Pesë nga 52 të pandehurit e tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kanë marrë dënime më të vogla ose janë liruar.

Gjykimi në rastin e Port Said-it ka qenë burim i dhunës më të keqe në Egjipt, që nga përmbysja e sunduesit veteran të këtij vendi, Hosni Mubarak, dy vjet më parë.

Tarek Sherif, një avokat që përfaqëson paditësit, ka thënë se vendimi i së shtunës është “i pamjaftueshëm”.

“Nuk mendoj se vendimi është i përshtatshëm, pasi nuk bëhet fjalë për një rast të trazirave në futboll, por për vrasje. Është një rast vrasjeje, i cili nuk është hetuar si duhet dhe procedurat ligjore nuk janë ndjekur saktë”, ka thënë avokati Sherif.

Në mesin e të liruarve sot kanë qenë shtatë nga nëntë oficerët policorë të arrestuar.

Tifozët nga Al-Ahly, që njihen si Ultras, janë zotuar se do të hakmerren nëse të pandehurit, përfshirë edhe policët, lirohen.

“Ultras duhet të shpaguhet nga Ministria e Brendshme, e cila është një konspiratore. Ajo është e ngjashme me ata që kanë planifikuar këtë krim, kështu që policët duhet të marrin dënimin me varje, si të tjerët”, ka thënë një tifoz i Al-Ahlyt, me emrin Mohamed Khattab.

Dhjetëra njerëz janë vrarë në trazirat në Port Said prejse 21 dënimet me vdekje janë shpallur fillimisht në muajin janar.(v.t.)
XS
SM
MD
LG