Ndërlidhjet

OKB konfirmon lirimin e paqeruajtësve nga Siria


Lartësitë Golan
Lartësitë Golan
Kombet e Bashkuara kanë thënë se grupi i paqeruajtësve, i cili është mbajtur peng nga rebelët sirianë për katër ditë me radhë, është liruar dhe ka kaluar nga Siria në Jordani.

Lajmin e ka konfirmuar për agjencinë AP Mokhtar Lamani, i dërguar i OKB-së në Damask.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë jordaneze, Samih Maaytah, ka thënë se pengjet e liruara ndodhen në territorin e vendit të tij.

Njëzetenjë paqeruajtësit, të gjithë filipinas, janë rrëmbyer të mërkurën nga rebelët sirianë, të cilët fillimisht kanë kushtëzuar lirimin e tyre me tërheqjen e forcave qeveritare të Sirisë nga zona.

Pengjet janë mbajtur në fshatin Jamla, pranë rajonit të Lartësive Golan, që kontrollohet nga Izraeli.

Përgjegjësinë për rrëmbimin e ka marrë grupi i quajtur Martirët e Yarmouk-ut.

Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara monitorojnë armëpushimin midis Sirisë dhe Izraelit në Lartësitë Golan qysh në vitin 1974.
XS
SM
MD
LG