Ndërlidhjet

Ishujt Falkland votojnë për statusin e kontestueshëm


Ilustrim
Ilustrim
Banorët e ishujve Falkland votojnë sot dhe nesër në referendumin për të mbetur ose jo nën sundimin britanik.

Argjentina ka përsëritur vazhdimisht pretendimet e saj për ishujt, 30 vjet pasi është zmbrapsur nga një task-forcë britanike, në konfliktin 74 ditësh.

Banorët e ishujve kanë vendosur të mbajnë referendumin në përgjigje të presionit të Argjentinës për negociatat mbi sovranitetin.

Komuniteti i vogël pritet të mbështesë fuqishëm mbetjen nën sundimin britanik.

Por, vota “po” në mbështetje të status quo-së nuk duket se do të zgjidhë mosmarrëveshjen.

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, ka thënë se dëshirat e banorëve nuk janë relevante me atë se çfarë është një çështje territoriale.

Shumica e argjentinasve i konsiderojnë ishujt Malvinas, ashtu siç i referohen ata Falkland-it, si si pjesë të veten dhe kthimin e tyre e kanë të përfshirë në kushtetutën kombëtare.

Por, zëri i banorëve do të dëgjohet në referendum, në të cilin do të marrin pjesë 1,672 qytetarë me të drejtë vote, nga popullsia totale prej 2,900 banorësh.

“Nëse vota do të jetë ‘po’, rezultatin do t’ia paraqesim komunitetit ndërkombëtar, vendeve të ndryshme… Dhe, nëse besoni në të drejtat e njeriut, në vetëvendosje, në Kartën e Kombeve të Bashkuara, kjo është ajo që njerëzit tanë kanë thënë. Ju lutem, respektojeni”, ka thënë zëdhënësi i Asamblesë së Ishujve Falkland, Gavin Short.

Votimi do të mbikëqyret nga dhjetë vëzhgues ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Kili dhe Meksika, pavarësisht kërkesës së Aregjentinës që vendet e Amerikës Latine të mos marrin pjesë.

Forcat e Argjentinës kanë pushtuar Ishujt Falkland më 2 prill të vitit 1982. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bahskuara ka dënuar fuqishëm ndërhyrjen dhe ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tyre.

Në dy muaj luftime janë vrarë 255 ushtarë britanikë, 650 argjentinas dhe tre civilë dhe më pas Aregjentina është dorëzuar.

Ishujt gjenden në Atlantikun Jugor dhe Britania mban kontrollin e tyre qysh në vitin 1833. Në afërsi të arkipelagut së fundmi është zbuluar naftë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG