Ndërlidhjet

Beogradi pret presion nga Brukseli


Beograd

Beograd

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë se shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, gjatë takimit të së hënës në Bruksel me autoritetet shtetërore të Serbisë, do të bëjë presion shtesë që Beogradi të bëjë kompromis me Prishtinën.

“Pres që Catherine Ashton të bëjë presion shtesë në delegacionin tonë, që të bëjë kompromisin, i cili për ne është i papranueshëm”, ka thënë Drecun, për mediat serbe.

Pala serbe këmbëngul në formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, me kompetenca ekzekutive. Prishtina pranon formimin e tij, por pa i dhënë kompetenca të tilla.

Për një gjë të tillë është biseduar në rrethin e fundit të bisedimeve midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë dhe pritet po ashtu të diskutohet në raundin e radhës, të caktuar për 20 mars.

Baronesha Ashton, të hënën në Bruksel, do të presë presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministrin Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrin e parë, Aleksandar Vuçiq.

Javën e ardhshme, Ashton do të udhëtojë edhe në Prishtinë, për të biseduar për çështjen me zyrtarët kosovarë.
XS
SM
MD
LG